Edi Rama mbledh liderët shqiptar, LSDM mirëpret iniciativën
STABILITETI I SHUMICËS AKTUALE PROBLEM SHTESË PËR NDRYSHIMET KUSHTETUES?
Ende është e paqartë se a do të jenë prezent në Tiranë të gjithë kryetarët e partive shqiptare në Maqedoni.
”Kemi marrë ftesë por ende nuk kemi qëndrim për pjesëmarrjen” – tha Bilall Kasami.
Në Tiranë me shumë gjasa do të jenë prezent Ali Ahmeti dhe Arben Taravari. Ky i fundit mbrëmë e konfirmoi se ftesa ka ardhur në adresë të Aleancës për Shqiptarët, e nga burime partiake Klan Maqedoni mëson se Ali Ahmeti ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Prezencën në takim e konfirmuan Menduh Thaci nga PDSH si dhe kreu i Alternativës Afrim Gashi.
E nga ana tjetër, tek blloku politik maqedonas, LSDM sheh vetëm gjera pozitive nga ky takim.
”Edi Rama është mik i dëshmuar i Maqedonisë dhe i popullit maqedonas. Shqipëria është vend me të cilin së bashku ecim në rrugën evropiane dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin. Bashkë jemi edhe anëtarë të NATO-s dhe sigurish në planin ekonomik e kemi ngritur bashkëpunimin nëpërmjet iniciativës “Ballkani i hapur”. Çdo takim që është formal dhe joformal dhe që është në interes të dy popujve, në interes të dy shteteve për ne është në drejtim të ndërtimit të një rajoni evropian” – tha Darko Kaevski.
Deri më tani, nuk ka pasur reagime nga ana e VMRO DPMNE-së dhe partive tjera maqedonase. Takimi pritet që të mbahet të martën në mbrëmje. Nga burime partiake, Klan Maqedoni mëson se temë e diskutimit mund të jetë edhe stabiliteti politik i shumicës aktuale, e cila duhet të hyjë në procesin e ndryshimeve kushtetuese, që janë edhe kusht për hapjen e negociatave. Sipas këtyre burimeve, ndodhitë e fundit në BDI por edhe rebelimi i disa deputeteve të LSDM-së, mund të jenë problem shtesë i shumicës për të siguruar votat e mjaftueshme për ti kaluar ndryshimet kushtetuese në Kuvend. /KlanMacedonia/