Edhe Ballkani në prag të luftës, mund ta shpëtojë vetëm vendosmëria e SHBA-së
Nga Marek Jan Chodakiewicz “Newsmax”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Shtetet e Bashkuara sapo kanë autorizuar shitjen tek Kroacia të disa helikopterëve ushtarakë. Rusia u kundërpërgjigj menjëherë, duke i ofruar armë Serbisë. Si historia, ashtu edhe situata aktuale sugjerojnë se diçka është duke ndodhur. Ne po shohim një ndërthurje të faktorëve lokalë dhe atyre rajonalë në një lojë gjeopolitike globale.
Fjala nuk është vetëm për Ballkanin, por edhe për Ukrainën dhe të tjerët. Kroacia ndodhet në pjesën perëndimore të atij që është quajtur që në lashtësi “Intermarium”, pra në territoret midis Detit të Zi, Detit Baltik, dhe Detit Adriatik.
Ajo është fqinje me Hungarinë dhe Sllavoninë në veri dhe verilindje, me Serbinë në juglindje dhe në jug me Bosnje Hercegovinën. Kroacia laget nga Deti Adriatik në perëndim, ashtu si Mali i Zi dhe Shqipëria.
Kroatët katolikë janë sllavë të jugut, së bashku me serbët e krishterë ortodoksë dhe boshnjakët myslimanë. Më parë ata ishin një popull sllavo-jugor (jugosllav), por në të kaluarën u ndanë sipas linjave fetare dhe të civilizimeve.
Paraardhësit e sllavëve të jugut bashkëkohorë ishin pjesë të Perandorisë Romake. Pas ndarjes së saj, disa mbetën të krishterë latinë, ndërsa të tjerët ranë nën ndikimin e Perandorisë Bizantine dhe besimit të saj ortodoks.
Në shekullin XII-të Bosnja iu nënshtrua Bogomilizmit, një lëvizje heretike gnostike, e cila e kishte origjinën në Bullgari. Ithtarët e saj u persekutuan për 100 vitet e ardhshme si nga Kisha Katolike Romake, ashtu edhe nga Kisha Ortodokse Serbe.
Në shekullin XIV-të, Bosnja dhe Serbia u pushtuan nga osmanët. Shumë nga ish-bogomilët boshnjakë e përqafuan Islamin. Represioni mysliman çoi në rebelime, arratisje, migrime serbe në veri, dhe rrjedhimisht në krijimin e një kufirit ushtarak të diktuar nga serbët në emër të Perandorisë Habsburge dhe kundër osmanëve.
Kësisoj bashkësitë fetare u ndërthurën në një mozaik konfuz të sllavëve të jugut. Për shkak të largësisë së tij, Mali i Zi arriti ta ruante autonominë e tij nga Turqia. Ndërkohë, Kroacia funksiononte si një pjesë praktikisht autonome e Mbretërisë së Hungarisë, e cila megjithatë, pjesërisht ra nën kontrollin e turqve në shekullin XV-të.
Në shekullin XV-të polakët dhe më vonë Habsburgët, luftuan në Ballkan për të sprapsur Islamin. Përfundimisht, Rusia e zhvendosi ndikimin e Portës së Madhe në Ballkanin Lindor. Austria e dëboi Turqinë nga pjesa më e madhe e Ballkanit Perëndimor.
Greqia përfitoi nga mbështetja e Fuqive të Mëdha për të arritur pavarësinë e saj. Serbia u vetë-çlirua në fillimin e shekullit XIX-të. Shqipëria ishte e fundit në vitin 1912, në vazhdën e luftërave ballkanike, të cilat së pari i dhanë fund sundimit osman në Evropë, dhe më pas vunë përballë njëri-tjetrin fitimtarë ballkanikë të atij konflikti.
Për popujt ballkanikë, Lufta e Parë Botërore ishte thjesht një zgjatim i luftës së mëparshme.
Për shkak se Shtetet e Bashkuara i dhanë një ndihmë jetike Anglisë dhe Francës për të mposhtur Gjermaninë në Frontin Perëndimor në vitin 1918, Serbia doli e fituar nga ajo luftë.
Në fillim gllabëroi Malin e Zi, i vetmi komb aleat që u zhduk nga harta. Pastaj Serbia nënshtroi Kroacinë, Sllavoninë dhe Bosnje-Hercegovinën në mbretërinë e saj, e cila shumë shpejt u riemërtua me emrin Jugosllavi. Serbët ishin kombësia dominuese në atë mbretëri, duke i denigruar të tjerët.
Tensionet shpërthyen hapur gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur sllavët e jugut luftuan kundër njëri-tjetrit të pozicionuar në disa koalicione dhe grupime. Disa bashkëpunuan me Boshtin. Të tjerët preferuan italianët mbi gjermanët apo anasjelltas.
Komunistët, të cilët ishin edhe më të pamëshirshmit, dolën në fund fitimtarë. Ishte Stalini ai që garantoi triumfin e tyre, pasi Ushtria e Kuqe e përzuri Ëehrmacht-in nga Ballkani. Në vitin 1945, Jugosllavia u rishfaq nën sundimin e kuq.
Por shumë shpejt edhe pse e ruajti marksizëm-leninizmin e saj, u bë një shtet i vetmuar “nacional-bolshevik”, duke iu bashkuar lëvizjes së shteteve të paangazhuara në ndonjërin prej 2 blloqeve të mëdha të Luftës së Ftohtë, atij kapitalist dhe atij komunist.
Beogradi krenohej me statusin e një diktature komuniste më pak kufizuese. Brenda federatës elementi serb mbeti de fakto dominues. Në vitin 1989, kur forcat centrifugale shpërbënë Jugosllavinë (dhe së shpejti edhe Bashkimin Sovjetik), pakicat vendosën që të shkëputen në shtete të veçanta.
Serbët kundërshtuan, ndaj shpërtheu lufta. Sllovenia e arriti lirinë pa derdhur shumë gjak. Pjesa tjetër përjetoi një kalvar vdekjesh, shkatërrimesh dhe spastrimesh etnike. Ndërhyrja e Amerikës e ndali gjakderdhjen, dhe i dha fund vuajtjeve.
Po ashtu SHBA-ja i frenoi ambiciet e Serbisë. Beogradi humbi një pjesë të madhe të territorit të tij. Kur Mali i Zi shpalli pavarësinë në vitin 2006, ai u bë një vend pa dalje në det.Ndërkaq, Bosnje-Hercegovina e shpalli veten një shtet më vete, ashtu si edhe Sllovenia, Kroacia. E fundit ishte Kosova në vitin 2008.
Nuk është për t’u habitur, që këto zhvillime e kanë nervozuar Serbinë. Ajo është afruar shumë me Rusinë. Pakicat serbe në Kosovë, dhe sidomos ajo në Bosnje Hercegovinë është e shqetësuar. Madje në vitin 2016, në Mal të Zi pati një tentativë për grusht shteti nga elementët pro-serbë.
Dhe pse disa segmente të politikës serbe, kërkojnë pasjen e raporteve të mira me Perëndimin, si dhe integrimin në Bashkimin Evropian, të tjerët preferojnë Rusinë, dhe shpresojnë për një ndryshim të rrethanave gjeopolitike. Nëse kjo do të thotë luftë, apo thjesht një test vullnetesh, këtë do ta shohim së shpejti. Si kudo tjetër, paqja në këtë rajon varet nga vendosmëria e Amerikës.
Shënim: Marek Jan Chodakiewicz, është profesor i historisë në Institutin e Politikave Botërore në Uashington, dhe ekspert për vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore.