Mësimi plotësues shqip në Austri, urë lidhëse për fëmijët shqiptarë me atdheun
“Mërgata jonë duhet të shfrytëzojë më shumë mundësitë që ofron shteti austriak për integrim dhe përfshirje në jetën arsimore, shoqërore dhe politik”, thotë Miradije Berisha, kryetare e Shoqatës së Mësueseve Shqiptarë “Naim Frashëri“ në Austri.
Abinfo.at: Ju jeni arsimtare e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Vjenë, njëkohësisht edhe kryetare e Shoqatës së Mësuesve Shqiptarë „Naim Frashëri“ në Austri. Na thoni një historik të shkurtër rreth shoqatës „Naim Frashëri“?
Miradije Berisha: Fillimisht, më lejoni të përshëndes nxënësit, prindërit, kolegët, si dhe stafin dhe lexuesit të revistës albinfo.at.
Ka 21 vjet që punoj si mësuese në mesin e shumë mësuesve shqiptarë në Austri, ku jam munduar dhe mundohem të jap kontributin tim në arsimimin dhe edukimin e fëmijëve shqiptarë, që po rriten e jetojnë në Austri.
Mësuesit, duke parë të nevojshme që të arrihet përfshirje sa më e madhe e nxënësve në mësimin e gjuhës amtare, të shpërndahen informacione, të organizohen aktivitete jashtëshkollore me nxënësit, që të jetë motivim dhe sensibilizim i prindërve dhe dëshirë e nxënësve për pjesëmarrjen në mësimin e gjuhës shqipe, themeluan edhe Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në vitin 2010.
Shoqata e Mësuesve Shqiptarë „Naim Frashëri” gjatë kësaj periudhë mund të themi me krenari se ka qenë shumë aktive në organizmin e aktiviteteve të shumta kulturore jashtëshkollore me qëllim të vetëm, që të mbajë të ndezur dëshirën për të ruajtur gjuhën, traditën dhe kulturën tek brezi ynë më i ri, pra tek fëmijët tanë.
Abinfo.at: Na flisni pakëz rreth mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Austri dhe si funksionon ky mësim?
Miradije Berisha: Mësimi i gjuhës shqipe në Austri organizohet, financohet dhe kontrollohet nga organet të arsimit kompetente të “Landeve”, përkatësisht Drejtoritë e arsimit të “Landeve” (Bildungsdirektion).
Mësimi në gjuhën amtare nuk është mësim obligativ, por është mësim i dëshirueshëm dhe ky mësim ofrohet si ofertë.
Në Vjenë, në shumë shkolla fillore (Volksschule) drejtoritë i japin rëndësi mësimit të gjuhës amtare duke e përfshirë në orarin e rregullt paradite, por edhe pasdite me nga 2-3 orë në javë. Në mësimin pasdite, nëse prindi do që fëmija të regjistrohet, atëherë duhet ta plotësoj formularin që e ka përgatitur Ministria e Arsimit të Austrisë në dy gjuhë. Nxënësi i cili regjistrohet është i obliguar që rregullisht të vijojë mësimin e gjuhës amtare në orarin e caktuar.
Abinfo.at: Si bëhet kategorizimi i nxënëseve, cilat mosha mësojnë bashkë, me çfarë planprogrami furnizohen nxënësit dhe ku i marrin materialet, cilat lëndë i mësojnë në orët e mësimit plotësues?
Miradije Berisha: Në Austri, për të formuar një grup sipas rregullave të Ministrisë së Arsimit në mësimit e gjuhës amtare, duhen të paraqiten minimum 12 nxënës dhe maksimum grup prej 24 nxënës.
Grupi mund të formohet edhe me nxënës me grup- moshë hetorogjene, pra nxënës nga klasa e parë deri në të nëntën. Në mësimin e pasdites nxënësit mund të bashkohen nga disa shkolla në shkollën ku organizohet mësimi i gjuhës shqipe. Mësimi plotësues është mjaft specifik, dhe ne kemi ballafaqime të ndryshme mësimore të nxënësit gjatë procesit mësimor.
Nxënësit ndahen në nivele në bazë të moshës dhe të njohurive. Ky heterogjinitet i nxënësve, ka specifika dhe kërkesa të shumta. Mësimi realizohet brenda planprogramit mësimor për gjuhët amtare (Lehrplan „Muttersprachlicher Unterricht“) dhe brenda Kornizës kurrikulare te dërguar nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë. Tekste mësimore pranojmë nga të dy shtetet tona shqiptare.
Posedojmë edhe materiale në gjuhën shqipe të botuara nga Ministria e Arsimit te Austrisë. Së shpejti nxënësit do ta kenë në duar tekstin e përbashkët “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli i parë që është hartuar në përputhje me kurrikulën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë, miratuar nga MASR-ja në Shqipëri dhe MASH-i në Kosovë. Në grupin e recensentëve të këtij teksti ishim dy mësuese nga diaspora, unë Miradije Berishaj dhe znj. Aurela Konduri, Greqi. Në mësimin e gjuhës amtare nxënësit marrin njohuri nga gjuha, letërsia, historia e gjeografia si dhe nga kultura e tradita gjithëkombëtare, duke i kushtuar rëndësi të veçantë zhvillimit të kompetencave letrare e gjuhësore.
Abinfo.at: Në cilat vende të Austrisë jeni të shtrirë me mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe sa mësues janë?
Miradije Berisha: Mësimi plotësues i gjuhë shqipe në Austri ka një shtrirje pothuajse në të gjitha “Landet”. Mësimi i gjuhës amtare mbahet në këto rajone: Vjenë, Austri e Ulët (Niederösterreich), Austri e Epërme (Oberösterreich) Kärnten, Steiermark, Salzburg dhe Voralberg ndërsa nuk zhvillohet në dy rajone: Burgenland dhe Tirol.
Në këtë vit janë 20 mësimdhënës të mësimit të gjuhës shqipe në tërë Austrinë.
Abinfo.at: Sa është numri i nxënësve shqiptarë në gjithë Austrinë?
Miradije Berisha: Se sa është numri i përgjithshëm i nxënësve shqiptarë nga të të gjitha trevat shqiptare nuk kemi informacione, apo një statistikë institucionale, por mund t´ju them se në tërë Austrinë marrin pjesë në mësim e gjuhës shqipe rreth 1600 nxënës.
Abinfo.at: Kush i paguan mësuesit shqiptarë dhe cilat janë detyrimet e prindërve për pagesa për fëmijët e tyre?
Miradije Berisha: Mësuesit shqiptarë janë punëtorë të Drejtorisë së Arsimit me të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë e njëjta si kolegët e tyre austriakë, pra paguhen nga shteti. Prindërit nuk kanë asnjë detyrim financiar ndaj mësuesit.
I vetmi obligim i prindërve është të kenë vullnet dhe dëshirë që t’i sjellin fëmijët e tyre në mësim.
Abinfo.at: Përkundër kombësive të tjera në Austri, vijueshmëria e mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Austri nuk është e kënaqshme. Pse, ku qëndron problemi?
Miradije Berisha: Nuk di çfarë informacione keni për vijueshmërinë e komuniteteve tjera në mësimin e gjuhës amtare, por në biseda me kolegë nga komunitetet të ndryshme, ankesat pothuaj se të gjitha janë të njëjta. Interesimi i prindërve është jo i mjaftueshëm, do të thotë se jo vetëm tek komuniteti shqiptar ka interesim te vogël. Kjo temë është shumë e ndjeshme dhe do një hulumtim të veçantë sepse janë shumë faktorë që ndërlidhen me këtë problematikë.
Abinfo.at: A është në krizë mësimi plotësues i gjuhës shqipe në Austri?
Miradije Berisha: Kurrsesi nuk mund të themi se mësimi në gjuhën shqipe është në krizë. Mësimi në gjuhën shqipe është një ofertë shumë e qëlluar nga organet e arsimit në Austri, por është vetë në dorën e prindërve se sa duan ta marrin këtë ofertë. Ne bëjmë shumë përpjekje që t’i informojmë por edhe t’i sensibilizojmë prindërit dhe nxënësit për rëndësinë e mësimit në gjuhën tonë të bukur shqipe, por nuk kemi mekanizëm, madje as institucionet tona të arsimit nuk kanë ndonjë mekanizëm që ligjërisht mund ta detyrojnë prindin që ta dërgoj nxënësin në mësim të gjuhës amtare, përpos sugjerimeve.
Abinfo.at: Pse është i rëndësishëm mësimi i gjuhës shqipe për nxënësit shqiptarë në Austri?
Miradije Berisha: Mërgata jonë duhet të shfrytëzojë më shumë mundësitë që ofron shteti austriak për integrim dhe përfshirje në jetën arsimore, shoqërore dhe politike. Në të njëjtën kohë duhet vazhduar që me krenari të ruajmë, gjuhën traditën, kulturën dhe artin tonë të cilin duhet prezantuar para vendasve dhe komuniteteve tjera që jetojnë këtu. Shkollat shqipe janë ura lidhëse për fëmijët me atdheun, si dhe arsimimi i fëmijës në frymë kombëtare është obligim prindëror. Këto vlera kombëtare duhet t’ua përcjellim breznive të reja, të cilat po rriten në këtë vend. Ne mundemi, që njëkohësisht, të jemi evropianë të mirë, të mbesim shqiptarë të devotshëm dhe krenarë për identitetin tonë, të integrohemi, por mos të asimilohemi. E gjithë kjo arrihet, së pari, duke e ruajtur dhe kultivuar gjuhën si çelës dhe promotor i të gjitha veprimtarive të tjera.
Abinfo.at: Çfarë duhet bërë për rritjen e numrit te nxënësve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe? A keni ndonjë plan konkret, çfarë thonë institucionet e Kosovës për këtë, sa keni mbështetjen e tyre?
Miradije Berisha: Element kryesor në rritjen e vijueshmërisë të nxënësve në mësimin e gjuhës shqipe janë prindërit. Kjo temë duhet të jetë sa më shumë e pranishme në mjetet e informimit publik sidomos në televizionet publike të vendeve tona, por edhe në rrjetet sociale.
Ne, mësuesit në rrjetet sociale jemi mjaft aktiv, por televizionet publike nuk janë në dorën tonë. Vijueshmëria e ultë e nxënësve është për brengosje po ashtu edhe për institucionet e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Në kontaktet me përfaqësues institucional kemi kërkuar nga ata, që të ushtrojnë kompetencat e tyre në këtë drejtim.
Abinfo.at: A ka nevojë për staf shtesë të mësimdhënësve? Si bëhet përzgjedhja e mësimdhënësve, kush vendos, a bëhet publike konkursi dhe kush vendos për shtimin e stafit?
Miradije Berisha: Numri i rritjes se mësimdhënësve në Austri është i lidhur me kërkesat e prindërve që bëjnë për dërgimin e fëmijëve në mësimin e gjuhës amtare. Përzgjedhja bëhet nga drejtoritë e arsimit të “Landeve”. Të interesuarit mund të aplikojnë në faqen zyrtare te Drejtorisë së Arsimit në Vjenë, apo të rajoneve tjera në Austri.
Abinfo.at: Cilat janë aktivitetet që shoqata organizon, dhe si pjesë e orarit mësimor, a keni pjesë përbërëse edhe vizitat e ndryshme, apo të paktën monumente shqiptare që janë në Austri?
Miradije Berisha: Në planin tonë vjetor jashtëshkollor janë edhe vizitat te monumentet tona shqiptare që gjinden në Austri. Kemi bërë vizita me nxënës në Muzeun Historik, aty ku gjinden shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut, më pas tek varri i Karl Gegës, etj.
Projektet tona standarde vjetore janë si: Festa Flamurit, Pavarësia e Kosovës, Dita e Mësuesit, Takimet sportive dhe “Kuizi i Diturisë”, i cili ka një traditë 20-vjeçare. Dua të përmend edhe ekskursionet që organizohen çdo vit me moton „Ta njohim Atdheun“ në bashkorganizim me MDIS të Kosovës.
Box
Mesazhi për prindërit shqiptarë
“Prindër të nderuar që jetoni në Austri dhe Diasporë! Mësimi në gjuhën shqipe u krijon mundësinë fëmijëve të rriten me dy gjuhë. Kjo kontribuon në ruajtjen e shumëgjuhësisë dhe garanton gjithashtu lidhjen e të rinjve me vendin e origjinës së familjes. Në mësimin e gjuhës shqipe, nxënësit mësojnë jo vetëm të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën amtare, por mësojnë edhe për vlerat kulturore dhe historike të prejardhjes së tyre. Gjuha është element kryesor identiteti që e bën një popull, një etni, të veçantë nga të tjerët, por njëkohësisht edhe ndihmon, që ai popull të jetë i respektuar në rrjedhën e civilizimit botëror nga popujt e tjerë, varësisht sa ka lënë dhe sa lë gjurmë në gjuhën e shkruar. Ky mësim promovon pasuri gjuhësore, të cilat nuk duhen nënvleftësuar, si në aspektin kulturor, por edhe në atë shkencor. Është vërtetuar edhe shkencërisht se kush e flet mirë dhe e shkruan gjuhën e nënës, atëherë ai përvetëson shpejt dhe tërësisht edhe gjuhën e vendit (në këtë rast gjermanishten).
Të dashur prindër, nuk ka asgjë më të rëndësishme për një fëmijë, dhe për një popull se sa gjuha amtare. Pra, të nderuar prindër dërgoni fëmijët edhe në mësimin e gjuhës shqipe, sepse është në të mirën e tyre, tuajën dhe në të mirën e kombit shqiptar!”.
Box 2
Nuk kemi mekanizëm detyrues
“Kurrsesi nuk mund te themi se mësimi në gjuhën shqipe është në krizë. Mësimi në gjuhën shqipe është një ofertë shumë e qëlluar nga organet e arsimit në Austri por, është vet në dorën e prindërve se sa duan ta marrin këtë ofertë. Ne bëjmë shumë përpjekje që t’i informojmë por edhe t’i sensibilizojmë prindërit dhe nxënësit për rëndësinë e mësimit në gjuhën tonë të bukur shqipe, por nuk kemi mekanizëm, madje as institucionet tona të arsimit nuk kanë ndonjë mekanizëm që ligjërisht mund ta detyrojnë prindin që ta dërgojë nxënësin në mësim të gjuhës amtare, përpos sugjerimeve”.