Një rrëfim i imi personal si arsimtari e veprimtar, dëshmi për përpjekjet e qytetarëve që mbrojtën arsimin shqip dhe kulturën kombëtare në Kumanovë, përballë shtypjes, harresës dhe përvetësimeve politike.
Në tri dekadat e fundit, shumë arritje në arsim e kulturë shqiptare në Maqedoninë e Veriut u realizuan falë përkushtimit të arsimtarëve, prindërve dhe aktivistëve, e jo si meritë e politikës ditore.
Sot, disa përpiqen t’i përvetësojnë këto përpjekje qytetare, duke harruar se pas çdo suksesi qëndron sakrifica e mësuesve dhe intelektualëve që punuan për gjuhën dhe arsimin shqip. Ky reagim hedh dritë mbi të vërtetën e këtyre zhvillimeve dhe sfidon propagandën që tenton ta fshijë historinë.
Pas çdo cikli zgjedhor, partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, pa dallim nëse janë në pushtet apo opozitë, dalin para qytetarëve me akuza dhe vetëlavdërime. Shpesh, në vend që të reflektojnë mbi punën e tyre, ato garojnë për të përvetësuar arritje që u takojnë qytetarëve aktivë, atyre që për dekada kanë sakrifikuar për arsimin, kulturën dhe identitetin shqiptar.
Por e vërteta është se shumë prej atyre që sot dalin me pretendime të rreme, dikur heshtnin, e zëri i tyre dëgjohej vetëm kur ishin në opozitë. Ndërkohë, individë dhe grupe të ndërgjegjshme punonin në terren për të mbrojtur arsimin shqip dhe të drejtat kombëtare, shpesh nën presion, kërcënime dhe akuza politike. Që nga vitet ’80 e deri pas pavarësisë së Maqedonisë, arsimi në gjuhën shqipe u përball me pengesa të shumta. Të gjithë ata që kërkonin hapjen e shkollave të mesme në gjuhën shqipe, pas mbylljes së tyre më 1987/88, etiketoheshin “nacionalistë”, “separatistë” apo “iredentistë”. Edhe unë, si punëtor i arsimit për 42 vite, isha pjesë e atyre që u akuzuan vetëm pse mbronim të drejtën për të mësuar në gjuhën amtare.
Në vitin 1989/1990 kishim kërkesën publike, pas mbylljes së paraleleve (më 1987/88) për hapjen e shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe nga unioni i studentëve në përbërje: Shenasi Xheladini, Demush Bajrami, Shaban Jashari, Hulusi Jashari, Suat Saqipi, Izair Ajdini etj, që studjonin në Prishtin për rihapjen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, kishte edhe tentativa tjera nga qytetarët e sektori civil, por çdoher nga pushteti i kohës hasën në veshë të shurdhër.
Por vendimi më seriozë ishte ai vitit 1991, 7 Tetor, ku bashkë me kolegët e Shkollës Fillore “Vëllazërimi” (tani “Naim Frashëri”) në Kumanovë, ku shërbeja si drejtor, hapëm tri (gjegjësisht pes pasi kishin 149 nxënës) paralelet e gjimnazit në gjuhën shqipe, pa pëlqimin e pushtetit të kohës. Më pas, si koordinator dhe kryetar i këshillit prindëror gjatë viteve 1993 deri 1995, organizuam hapjen e paraleleve shqipe në të gjitha drejtimet e shkollave të mesme: ekonomike, teknike, bujqësore dhe mjekësore.
Ky ishte një hap madhor, i realizuar jo nga ndonjë parti politike, por nga mësues, arsimtarët, profesorët, prindër dhe aktivistë të sektorit civil që besonin në misionin arsimor dhe kombëtar.
Në vazhdim, si kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” Kumanovë–Likovë, menaxhuam hapjen e Fakultetit “AB” në Kumanovë (më 2008) dhe më 2012, hapjen e shkollës fillore të muzikës në gjuhën shqipe.
Po ashtu, u realizua marrja e dy objekteve të kazermave ushtarake, për shkollën e mesme ekonomike (më 2006) dhe për Fakultetin “AB” (më 2011).
Krahas arsimit, u ngritën edhe institucione të tjera të rëndësishme kulturore e humanitare: Shoqata e Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” (1991) me kryetar Fadil Bekteshin pasuar nga Sevdail Demiri etj, Shoqëria Kulturore-Artistike “Naim Frashëri” (1993) me kryetar Etem Xheladinin, riaktivizimi i Shoqërisë Kulturo-Artistike “Bajram Shabani” (më 1994) me kryetar Rexhep Shaqiri pasuar nga Selver Ramadani, Shoqata e Matematicienëve “Eshtref Ademal” (më 1994) me kryetar Agim Rushitin, Shoqata e historjanëve (më 1995) me kryetar Naim Alimi pasuar nga Minir Ademi, me iniciativën e Shaban Sadikut u themelue Shoqata për “AKS” (më 1985) me kryetar Eljasa Aliu pasuar nga Agim Avdiu, me iniciativën e Qemal Musliut u themelua Java Kulturore Shqiptare (2011) me kryetar Vaid Saitin, pasuar nga Agim Beluli, si dhe shoqatat humanitare “Nëna Terezë” (1990) me kryetar Etem Xheladinin, pasuar nga Ismail Xheladini, OH.El-Hilal” (1991) me kryetar Aqif Ajdinin pasuar nga Demir Shabani, Shoqatën “Natyra” (më 1996) me kryetar Bajram Sulejmani, Forumi për të Drejtat dhe Lirit e Njeriut, (më 1992) me kryetar Selver Ismani pasuar nga Idriz Sinani, dhe Shoqatat e grave (më1992/93) të menaxhuara nga Teuta Ajeti, Ferdeze Sulejmani, Dije Arifi, Sebehate Emini et.
Të gjitha këto janë dëshmi të një lëvizjeje qytetare të sinqertë, që punoi për gjuhën, arsimin, kulturën dhe humanitetin shqiptar pa asnjë interes politik.
Sot, pas më shumë se tri dekadash e gjysmë, është e dhimbshme të dëgjosh propagandë të zezë që mohon apo përvetëson këto arritje. Ata që dikur heshtnin, sot përpiqen t’i shesin si të vetat nismat e popullit.
Kjo është jo vetëm mashtrim politik, por edhe fyerje ndaj gjithë atyre që sakrifikuan për arsimin shqip, arsimtarëve, prindërve dhe aktivistëve që nuk u dorëzuan as përballë shtypjes e ndalimeve.
Propaganda antishqiptare, që synon të minimizojë arritjet kombëtare, nga flamuri e gjuha shqipe, deri te universitetet tona (Tetova, Shtuli, “Nënë Tereza”), nuk do të ketë sukses.
Sepse e vërteta është më e fortë se shpifjet, dhe kontributi i atyre që punuan me ndershmëri për arsimin dhe kulturën shqiptare nuk mund të fshihet nga asnjë pushtet e as nga asnjë propagandë.
Historia do ta ndajë qartë kush punoi për interes kombëtar e kush për interes personal.
Kontributet e ndershme nuk zhduken, ato mbeten në kujtesën e popullit dhe në themelet e arsimit e kulturës shqiptare.

Autori: Etem Xheladini
Arsimtar, aktivist dhe veprimtar i arsimit shqip në Kumanovë

sqShqip