E pranon shefi i ushtrisë serbe: Në Kosovë nuk mund të futemi as me 14 mijë ushtarë, e jo me 4.500
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, i mohoi akuzat e autoriteteve të Kosovës se Serbia, përmes sulmit në Banjskë, ka synuar aneksimin e veriut të Kosovës.
“Ushtria serbe është një organizatë serioze, e fortë, që nuk toleron gënjeshtra”, tha Mojsilloviq në një konferencë për gazetarët në Beograd.
“I mohoj të gjitha akuzat e bëra nga Prishtina”, theksoi ai.
Duke folur për qëndrimin e Prishtinës se është përgatitur aneksion i Veriut, ai ka mohuar.
“Në kufi ne kemi 4.500 ushtarë. Një operacion i tillë nuk mund të realizohet as me 14 mijë ushtarë”, ka deklaruar ai.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të dielën se Serbia ka planifikuar aneksimin e veriut të Kosovës, përmes sulmit në Banjskë.
Më 24 shtator, policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur në këtë fshat të komunës së Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues të nacionalitetit serb.
Sveçla tha se Kosova ka dëshmi se grupet e armatosura janë përgatitur dhe stërvitur në bazën stërvitore ushtarake afër Jagodinës në Serbi, si dhe në Kopaonik.
U publikuan po ashtu fotografi dhe video, që, sipas policisë së Kosovës, janë incizuar nga dronët dhe janë sekuestruar nga grupi i armatosur në Banjskë.
Serbia i mohon akuzat e Kosovës se është e përfshirë në këtë sulm, të cilin autoritetet kosovare e cilësuan si akt terrorist.
Përgjegjësinë për të e mori Millan Radoiçiq, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Mojsilloviq e mohoi se Radoiçiq ka marrë pjesë në stërvitje në bazën “Pasulanske Livade” – afër Jagodinës, në Serbinë qendrore.