April 29, 2024
Kosovë

E jashtëzakonshme: Mërgimtari Fitim Gashi dhuroi plot 27 mijë e 700 euro për shërimin e një vajze

Qysh si i ri, në mungesë të një perspektive në Kosovën e pasluftës, bashkatdhetari Fitim Gashi nga Begraca e Kaçanikut, përmes bashkimit familjar vendosi që fatin e jetës ta kërkojë në Gjermani. Në vitin 2012, ai vendoset në qytetin Spelle, ku fillimisht e mësoi gjuhën, rrethin ku banonte që më vonë të integrohej në mënyrë të shkëlqyeshme në shoqërinë gjermane. Në vitin 2014, Fitimi vendosi ta sfidonte vetveten, duke themeluar një kompani personale të specializuar në sistemin kabllovik.

Përkundër peripecive fillestare, Fitimi ishte këmbëngulës në synimet e tij për të arritur atë që e kishte planifikuar më herët. Aktualisht, kompania e tij “Gashi Garten- und Pflasterarbeiten” numëron 25 punëtorë, duke ia shtuar edhe njëqind të tjerë të huazuar, pasi kërkesa në këtë fushë është shumë e madhe, ndërsa nga ky vit ajo llogaritet si GMBH.
Gjatë këtij pushimi dimëror, Fitimi ishte në vendlindje, në fshatin e tij të lindjes në Begracë të Kaçanikut. Një rast i rëndë e kishte prekur në sedër Fitimin pasi kishte dëgjuar se një vogëlushe kishte nevojë urgjente për t`u shëruar jashtë vendit. Pa një, pa dy, Fitimi i dorëzoi plot 27 mijë e 500 euro për shërmin e saj, plus duke ia siguruar edhe udhëtimin me avion.

“Është një obligim moral i secilit prej nesh që të ndihmojë aty ku paraqitet nevoja”, thotë enkas për portalin “Shtegu.com”, Fitim Gashi i cili nuk dëshiron të zbulojë shumë për rastin në fjalë.