Javën e ardhshme pritet të mbahet takimi i parë me ekspertët e huaj që do të angazhohen për rastin e operacioneve të panevojshme në zemër, të cilin e bëri publik kardiologu Sashko Kedev. Aktualisht po përkthehen të gjitha materialet në gjuhën angleze dhe takimi i parë pritet të mbahet online. Anëtarët e komisionit vendor deri më tani kanë marrë 25 denoncime nga qytetarë dhe institucione shëndetësore.
Komisioni ka analizuar 19 raste, ndërsa për 10 pacientë është konstatuar se janë referuar pa nevojë për ndërhyrje kardiovaskulare. Kedev disa muaj më parë bëri publike se disa spitale kryejnë ndërhyrje të panevojshme për qëllime fitimi, përfshirë edhe stentime të panevojshme. Pas këtyre pretendimeve u formua një komision i brendshëm, si dhe një komision i përbërë nga tre ekspertë të huaj.

