Dritan Abazoviç në krye të qeverisë së re, presidenti i Malit të Zi miraton mandatin e tij
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç ka njoftuar se i ka dhënë mandatin kryetarit të lëvizjes URA, Dritan Abazoviç për formimin e qeverisë së re.
Abazoviç dhe Gjukanoviç janë takuar sot më herët, ku presidenti e ka njoftuar ish-zëvendëskryeministrin me vendimin e tij, raportojnë mediet malazeze. Gjukanoviç në arsyetimin e tij thotë se pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive parlamentare, që e pranuan ftesën, ka marrë sigurinë se ekziston përkrahje për formimin e qeverisë së 43-të të Malit të Zi.
“Për këto arsye, mora vendim që mandatin për formimin e qeverisë t’ia besoj kryetarit të LQ URA, Abazoviç, i bindur se është në interesin më të mirë të Malit të Zi që sa më shpejt të jetë e mundur të formohet qeveria me kapacitet të plotë, veçanërisht për shkak të sfidave shtesë politike dhe të sigurisë, të krijuara nga lufta në Ukrainë dhe reflektimi i saj në stabilitetin e rajonit tonë”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e presidentit.
Gjatë viteve të fundit, Abazoviç ka qenë kundërshtari më i madh i presidentit Gjukanoviç ndërsa sot për herë të parë, shtrinë dorën e bashkëpunimit. Qeveria e re do të formohet me deputetët e pakicave dhe me mbështetjen e partisë së Gjukanoviç. Lëvizja URA dhe partitë e pakicave kanë propozuar Abazoviçin për postin e kryeministrit të ri. /TCH/