Emri i tij lidhet drejtpërdrejt me dy kompani në vend: njëra është likuiduar prej kohësh, ndërsa tjetra ndodhet në proces falimentimi – të dyja kanë pasur një qarkullim të papërfillshëm para se të mbyllen. Në të njëjtën kohë, ai zotëron edhe aksione në një kompani në Bullgari, e cila është joaktive në treg, ndërsa bashkëshortja e tij është bashkëpronare e një kompanie vendase që operon me humbje. Dosja e pasurisë familjare përfshin pasuri të paluajtshme, por edhe armë.
Përveç aksioneve në kompani, pasurive të paluajtshme dhe bizhuterive, kryetari i komunës së Kumanovës dhe lideri i ZNAM-it në pushtet, Maksim Dimitrievski, në pyetësorin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka deklaruar se posedon edhe leje për armë, përcjell Nistori.
Ai ka raportuar gjithashtu se posedon personalisht 11 armë, pa specifikuar llojin e tyre. Megjithatë, është deklaruar vlera e tyre: arma më e lirë vlerësohet 12 mijë denarë, ndërsa më e shtrenjta 60 mijë denarë. Në total, vlera e të gjitha armëve arrin në 434 mijë denarë.
Pasi Dimitrievski deklaroi publikisht se nuk jeton vetëm me pagën e zyrtarit, por se që nga viti 1998 është marrë me biznes, ka punuar jashtë vendit dhe ka investuar e riinvestuar, ne verifikuam se cilat kompani zotëron dhe çfarë pasurie ka krijuar, veçanërisht gjatë kohës që ka qenë kryetar komune.
Sipas të dhënave të Fokus, me emrin e tij lidhen drejtpërdrejt dy kompani në vend: njëra është likuiduar prej kohësh, ndërsa tjetra ndodhet në proces falimentimi. Të dyja kanë pasur qarkullim të papërfillshëm para se të mbyllen.
Po ashtu, siç ka raportuar Fokus së fundmi, ai zotëron edhe aksione në një kompani në Bullgari që nuk është aktive në treg, ndërsa bashkëshortja e tij është bashkëpronare e një kompanie vendase që operon me humbje të vazhdueshme.
Në dosjen e pasurisë familjare përfshihen gjithashtu pasuri të paluajtshme – tokë bujqësore, një shtëpi dhe një apartament – si dhe llogari bankare, për të cilat nuk është specifikuar shuma. Po ashtu, në këtë dosje figuron edhe një arsenal i konsiderueshëm armësh. /Nistori/

