Maqedoni

Doganat e Maqedonisë kapin shoferin me 7.000 euro në çorape (Foto)

Një sasi më e madhe devizash, 250 kuti çajra detoks, por edhe një kokë e re e motorrit për kamion, janë pjesë e konfiskimeve të ekipeve mobile të Sektorit për kontroll dhe hetim të Drejtorisë së doganave, gjatë ditëve të fundit.
Në dy rastet e ndara, ekipet mobile kanë zbuluar 15.100 euro, të cilat shoferët e kamionit kanë dashur t’i nxjerrin jashtë vendit përmes vendkalimit kufitarë Tabanovc pa i lajmëruar, duke i fshehur në çorape dhe në vende të ndryshme të automjete.

Në rastin e parë janë gjetur gjithsej 11.100 euro, nga të cilat 7.000 euro ishin të fshehura në çorapet e shoferit, ndërsa pjesa tjetër e valutave ndodhej në portofolin e tij dhe në një zarf në kabinën e mjetit. Në rastin e dytë janë zbuluar 8 mijë euro, të cilat shoferi i kamionit i ka fshehur në kabinën e kamionit nën kapakun e marshit automatik. Në të dyja rastet, drejtuesve të automjeteve, përndryshe shtetas të Maqedonisë, iu janë kthyer nga dy mijë euro, shumë të cilën lirisht mund ta nxjerrin jashtë vendit, ndërsa pjesa tjetër e devizave është mbajtur. Kundër personave do të fillojë procedura adekuate kundërvajtëse.
Në vendkalimin kufitarë Bllacë, në hyrje të vendit, në dy raste të ndara janë ndaluar dy shtetas kosovarë me qëllim të importimit të paligjshëm të 250 çajrave detoks dhe një kokë e re motorri për një kamion.

Çajrat detoks janë zbuluar gjatë kontrollit të furgonit me targa kosovare nën sediljet e veturës, ndërsa koka e motorrit për një kamion është zbuluar në një automjet pasagjerësh me targa kosovare, në bagazhin e mbuluar me batanije dhe xhaketë.
Edhe në këto raste produktet e padeklaruara ndalohen përkohësisht, ndërsa ndaj personave do të ngrihen procedura përkatëse.