Një Mercedes-Maybach i përdorur nga viti 2023 është futur në qarkullim dhe regjistruar me dokumente të falsifikuara, duke shkaktuar dëm prej 1,9 milionë denarësh në buxhet, njofton Dogana e Maqedonisë.
Hetimi zbuloi se importuesi dhe përfaqësuesi doganor falsifikuan faturën dhe dokumentet për t’i paguar taksa më të ulëta dhe për të ndryshuar targat dhe të dhënat e automjetit. Me ndihmën e disa punonjësve doganorë dhe policisë, automjeti u lëshua në qarkullim.
Prokuroria ka ngritur kallëzim penal kundër 2 personave juridikë dhe 7 individëve për falsifikim dokumentesh, keqpërdorim detyre dhe punë të pandershme. Dogana ka nisur hetime që nga tetori 2024 për importet e automjeteve dhe gjatë 1,5 viteve ka dorëzuar 51 kallëzime për 180 automjete, me dëme totale mbi 41 milionë denarë.
Dogana thekson se do të vazhdojë hetimet për të luftuar krimin dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme.
“Hetimi tregon qartë se krimi i organizuar në importin e automjeteve nuk është thjesht një problem teknik, por një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj buxhetit të shtetit dhe besimit të qytetarëve tek institucionet. Dogana ka nisur hetime të gjera që nga tetori 2024 dhe gjatë 1,5 viteve kemi dorëzuar 51 kallëzime penale kundër 110 personave juridikë dhe 396 individëve për krime që lidhen me 180 automjete të përdorura, me dëme totale mbi 41 milionë denarë. Ne do të vazhdojmë me veprime hetimore të gjera për të luftuar krimin, për të krijuar kushtet e konkurrencës së ndershme dhe për të forcuar besimin e qytetarëve tek sistemi institucional, si një parakusht kyç për zhvillimin e një shoqërie të qëndrueshme”, shtojnë nga Doganat.

