Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është nderuar sot nga Universiteti Europian i Tiranës (UET) me titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa”.
Ky vlerësim i është dhënë Ahmetit për rolin e tij të jashtëzakonshëm në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve, si dhe për kontributin e pandërprerë në promovimin e paqes dhe procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.
Në motivacionin zyrtar, u theksua se Ali Ahmeti ka luajtur një rol historik në sigurimin e barazisë së shqiptarëve në Maqedoni të Veriut dhe ka qenë një zë i fuqishëm në mbështetje të rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Ky titull është ndër nderimet më të larta akademike që i jepet një personaliteti publik, duke e radhitur Ahmetin mes figurave të shquara kombëtare që kanë lënë gjurmë në proceset politike, shoqërore dhe integruese të shqiptarëve dhe të rajonit.