May 10, 2024
Maqedoni

Dita botërore e obezitetit, rritet numri i personave me mbipeshë

Obeziteti tek të rriturit dhe fëmijët në vend është në nivel të lartë. Mbi 30 për qind e fëmijëve të moshës gjashtë deri në nëntë vjeç jetojnë me peshë të shtuar trupore ose me obezitet, bën të ditur IShP-ja, me rastin e Ditës botërore të obezitetit – 4 marsi.

Gjatë 30 viteve të fundit, obeziteti ka marrë hov të madh në nivel botëror dhe pritet rritje pandemike të kësaj sëmundjeje, thonë ekspertët e kësaj fushe. Sipas të dhënave nga “Termini im”, 14 mijë pacientë janë të regjistruar me obezitet që janë përafërsisht 10 për qind nga numrat real. Endokrinologu Irfan Ahmeti thekson se duhet të ngrihet vetëdija për këtë sëmundje dhe të trajtohet në fillim të zbulimit.

“Obeziteti është një sëmundje komplekse dhe kronike, e cila duhet me kohë të vërehet, të diagnostikohet dhe me kohë të trajtohet për arsye se jep shumë komplikacione. Qëllimi i kësaj dite është të edukojmë jo vetëm popullatën, por edhe personelin mjekësor, sepse ende ekzistojnë stisma, gjegjësisht vetëdija personale kolektive dhe profesionale nuk është e nivelit të lartë, ashtu siç duhet të jetë. Këtë e them nga dëshmitë e regjistrimit të numrave nga “Termini im”.”, – deklaroi endokrinologu, Irfan Ahmeti.

“Kemi numër të madh të pacientëve në moshën e adoleshencës, gjithashtu edhe popullata e re deri në moshën 40-vjeçare. Po ashtu kemi pothuajse gjysmën e këtyre pacientëve që drejtohen në qendrën tonë dhe që janë të kësaj grupmoshe. Kjo tregon që ka filluar ngadalë të ngrihet vetëdija në vendin tonë që më herët nuk ishte shembull.”, – theksoi mjeku në spitalin “8 Shtatori”, Taner Hasan.

Në vendin tonë, obeziteti tek të rriturit është rritur me 13,6 për qind dhe tek fëmijët dhe adoleshentët me 7,4 për qind krahasuar me vitin 1990, thuhet në raportin e IShP-së.