Ashtu siç pritej, pas stuhive të forta që mbretëruan të hënën dhe të martën, kemi një stabilizim të përkohshëm të atmosferës, edhe pse ditët mbeten më të freskëta për shkak të masave të ftohta ajrore që vijnë nga veriperëndimi i kontinentit.

Ndërkohë, të premten, një tjetër masë e ftohtë dhe e fuqishme me origjinë polare, e shoqëruar me masa të lagështa ajrore, do të sjellë reshje shiu në të gjithë vendin, të cilat lokalisht mund të paraqiten në formë të rrebesheve afatshkurtra. Gjatë ditës do të ketë edhe intervale me diell, ndërsa vende-vende priten rrebeshe të izoluara, me mundësi për ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.

Era do të fryjë nga veriu, herë pas here dhe lokalisht e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 11 deri në 14°C, ndërsa ato maksimale nga 16 deri në 19°C. Si pasojë e këtyre vlerave të ulëta dhe kushteve atmosferike, moti do t’i ngjajë më shumë një vjeshte tipike, ndonëse jemi në kulmin e verës.

" "

Nga dita e shtunë priten intervale më të gjata me diell dhe një ngritje e lehtë e temperaturave, me maksimale prej 21 deri në 25°C.

Të dielën moti do të jetë kryesisht me diell dhe i nxehtë, mirëpo në mbrëmje ose gjatë natës ka tendenca për destabilizim të motit, për të cilin do t’ju njoftojmë me kohë. Temperaturat maksimale pritet të arrijnë rreth 30°C. /MeteoKosova/

sqShqip