Edhe pse ky rajon ka një natyrë shumë të bukur, me vegjetacion të pasur dhe ujëra të shumta, mungesa e realizimit të projekteve serioze për mbrojtjen e ambientit jetësor, nga viti në vit, shkakton dëme të mëdha dhe realisht frenon edhe zhvillimin e turizmit

Vjollca SADIKU

Dibër, 15 dhjetor – Viteve të fundit, edhe pse shoqatat ekologjike u bëjnë thirrje kompetentëve të ndërmarrin masa për mbrojtjen e mjedisit jetësor, problemet ekologjike në Dibër dhe rajon po marrin përmasa shqetësuese. Sipas këtyre shoqatave, ndotja është e pranishme si në tokë, ashtu edhe në ajër dhe ujë. Edhe pse ky rajon ka një natyrë shumë të bukur, me vegjetacion të pasur dhe ujëra të shumta, mungesa e realizimit të projekteve serioze për mbrojtjen e ambientit jetësor, nga viti në vit, shkakton dëme të mëdha dhe realisht frenon edhe zhvillimin e turizmit.

Shoqata ekologjike “Uji i pastër, ushqimi i shëndoshë” nga Dibra tashmë prej disa vitesh me radhë e shpreh këtë shqetësim, duke theksuar se ndotjet po marrin përmasa alarmante. Kryetari i shoqatës, Daut Dumani, ekspert i ekologjisë, për gazetën KOHA thotë se ndotja e tokës vazhdon.

“Problemi i ujërave të zeza në periferinë e Dibrës po shkakton pasoja të mëdha ekologjike. Vite me radhë, edhe pse ka pasur disa përpjekje për realizimin e projektit të kolektorit për pastrimin e ujërave të zeza në lokacionin ‘Tabakane’, deri më sot nuk është ndërmarrë asgjë. Për pasojë, vazhdojnë të ndoten sipërfaqe të mëdha të tokës pjellore në Fushën e Dibrës. Ujërat e zeza nga kanalizimet fekale të qytetit, në pjesën më të madhe, përfundojnë në lokacionet ‘Çeshmicë’ dhe ‘Simnicë’, që ndodhen në afërsi të ‘Tabakane’”, thotë Dumani.

Ai shton se bëhet fjalë për një problem të madh ekologjik dhe se ndotja e mjedisit jetësor është shumë e theksuar. “Pa realizimin e një kolektori për pastrimin e ujërave të zeza në këtë pjesë të Dibrës, nuk mund të mbrojmë tokën pjellore”, thekson Dumani.

Pikërisht këto ujëra të zeza po ndotin pothuajse tokën më pjellore të komunës. Sipas të dhënave, kjo situatë ka ndotur rreth 300 hektarë tokë pjellore në Fushën e Dibrës. Ndotja e ujit kryesisht vjen nga lumenjtë Radikë dhe Drini i Zi. Përmes Radikës, mbeturina të shumta përfundojnë në Liqenin e Dibrës.

“Deponitë e egra nga fshatrat e komunës Mavrovë-Rostushë përfundojnë në Radikë. Nga ana tjetër, mosfunksionimi i rregullt i kolektorit të Liqenit të Ohrit sjell mbeturina në lumin Drini i Zi, të cilat derdhen në Liqenin e Dibrës. Deponitë e egra edhe nga komuna Qendër Zhupë, përmes përroskave të kësaj komune rurale, gjithashtu përfundojnë në liqen”, thotë Dumani.

Ai shton se edhe objektet e shumta në bregun e liqenit ndotin ujërat, pasi asnjëri prej tyre nuk ka sisteme për pastrimin e ujërave të zeza. Në shoqatën qytetare “Uji i pastër, ushqimi i shëndoshë”, e cila jep një kontribut të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit jetësor, thonë se përveç ndotjes së tokës dhe ujërave, në Dibër është problem edhe ndotja e ajrit.

“Problem kryesor i ndotjes së ajrit është puna e fabrikës ‘Knauf’. Jemi të mendimit se kësaj fabrike duhet t’i kontrollohet funksionimi i filtrave. Si shoqatë, sugjerojmë që një komision ndërkombëtar të bëjë matjen dhe kontrollin e cilësisë së ajrit në qytet”, thotë Dumani.

Sipas tij, qytetarët e Dibrës me të drejtë ankohen për cilësinë e ajrit, sidomos në pjesën e vendbanimit të ri të qytetit. “Dibra, me resurset dhe bukuritë e saj natyrore, meriton mbrojtje maksimale të ambientit jetësor”, theksojnë ekologët dibranë dhe ata të rajonit. (koha.mk)

sqShqip