Prej disa vitesh me radhë, investimet më të mëdha në qytetin e Dibrës po regjistrohen në sektorin e ndërtimtarisë. Kjo tregon se investitorët shohin përfitime më të mëdha dhe më të sigurta në ndërtimin e banesave kolektive, pasi interesi për blerjen e tyre vazhdon të jetë i lartë. Sipas të dhënave të institucioneve kompetente, aktualisht në Dibër ka mbi 60 ndërtesa kolektive, ndërsa gjashtë të tjera janë në ndërtim e sipër. Megjithatë, krahas rritjes së çmimeve të banesave, një fenomen i veçantë po tërheq vëmendjen e blerësve: garazhet nëntokësore po shiten më shtrenjtë se vetë banesat. Në disa pjesë të qytetit, një metër katror banese kushton mesatarisht 700 deri në 900 euro, ndërsa një metër katror garazhi arrin mbi 1.000 euro.
F.R., i cili së fundmi ka blerë një banesë në një ndërtesë kolektive në ndërtim, ka paguar 850 euro për metër katror të banesës, ndërsa për garazhin në bodrumin e ndërtesës ka paguar 11.000 euro, që i bie afër 1000 euro për metër katror. Një tjetër dibran, B.V., mërgimtar në Zvicër, tregon se investitori i ka kërkuar 12.000 euro për një garazh në ndërtesën ku ai ka banesë.
“Këto çmime janë sa interesante aq edhe të çuditshme. Investimet për banesat janë shumë më të mëdha krahasuar me ato për garazhet”, thotë ai, duke shtuar se banesat duhet të shiten së bashku me garazhet dhe jo veçmas.
Nga ana e tyre, investitorët japin shpjegimet e tyre. Ata thonë se ky sistem shitjeje përdoret edhe në qytete të tjera dhe se, për shkak të interesit të madh për banesa dhe mungesës së hapësirave për parkim, është normale që blerësit të kërkojnë garazhe private në kuadër të ndërtesës. Kjo situatë, sipas blerësve, po shfrytëzohet nga investitorët, të cilët i shesin garazhet si një pjesë të veçantë. Sidomos mërgimtarët janë blerësit më të mëdhenj të garazheve, pasi krahas banesave blejnë edhe hapësirat nëntokësore për automjetet e tyre, të cilat i përdorin kur kthehen nga SHBA ose nga shtetet e Evropës. Kjo praktikë, sipas blerësve, është kthyer në një mënyrë përfitimi për investitorët, të cilët e shohin ndërtimin e garazheve si një burim të sigurt fitimi.

