May 4, 2024
Maqedoni

Diaspora vjen në Maqedoni për dokumentet!

Këtë fundjavë është vërejtur një fluks i shtuar i shtetasve tanë që jetojnë në mërgim që kanë ardhur për të nxjerr dokumentet e udhëtimit me emrin e ri të shtetit. Por, autoritetet të shtunën nuk punuan me kapacitet të plotë dhe turma të shumta të qytetarëve me pritje të gjata u panë edhe para sporteleve të pikës kryesore të MPB-së për dhënie të dokumenteve. Ndërkohë në stacionin policor “Prolet” të shtunën sporteli nuk punoi fare dhe qytetarët u munduan kot.

“Duhet të jetë një rend, të ketë hapësira tjera nëpër komuna dhe jo të jetë vetëm një qytet. Në çdo vendbanim të ketë pika për rregullim të dokumenteve. Duhet të shkojmë nga e hëna e tutje, ne erdhëm të shohim a ka pasaportë, nëse jo duhet të organizohemi atje ta nxjerrim. Nëse nuk ka duhet të udhëtojmë për Zvicër”, tha një qytetar.

Sikurse kjo familje që e ka patjetër të kthehet në Zvicër, ashtu edhe familja tjetër ka ardhur këto ditë posaçërisht vetëm për të rregulluar dokumentet. Ata habiten me këtë absurditet, nga që në Austri ku jetojnë thonë se kjo rrëmujë nuk mund të ndodh për një çështje që është ditur prej vitesh. Ata thonë se janë detyruar të lënë punën dhe fëmijët për të ndërruar pasaportat,.

“Po normale, ne kemi ardhur vetëm për këto dokumente, vetëm për pasaportën kemi ardhur sot për të nxjerr. Kemi ardhur prej Austrisë, jam detyruar të marr pushim 1 javë të vij të ndërroj dokumentet për mua dhe bashkëshorten. Nëse mund të kryej punë ose përndryshe duhet të kthehem para 12 shkurtit atje dhe të detyrohem përmes ambasadës ti rregulloj atje pasaportat”, theksoi një qytetar tjetër.

Problemi tjetër është që edhe qytetarët që jetojnë në vend, kanë pritur ditën e fundit për të ndërruar dokumentet me emrin e ri të shtetit.

“Po është dashur me kohë, tani më ka skaduar letërnjoftimi dhe duhet ta nxjerr. Nuk di çfarë është problemi këtu, mbase faji është te populli, por do të kaloj nuk është tragjike”, shtoi një qytetar.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se deri më tani janë lëshuar në përdorim mbi 1 milion e 200 mijë pasaporta. Nga Ministria e jashtme thonë se nga 12 Shkurti dokumentet e udhëtimit me emrin e vjetër si pasaporta, letërnjoftimi dhe patenta e shoferit nuk do të vlejnë jashtë shtetit. U bënë thirrje qytetarëve nga diaspora që përmes ambasadave dhe zyrave konsullore në shtetet përkatëse ku jetojnë të marrin fletë-udhëtimet për tu kthyer në Maqedoninë e Veriut pas 12 Shkurtit. Por, autoritetet nuk kanë planifikuar që e gjithë diaspora vjen në pushim njëherësh, fare pak në pranverë dhe shumica në pikun e verës ku pritjet e gjata mund të jenë edhe më të mëdha se sa tani./Alsat.mk