April 28, 2024
Maqedoni

Diaspora duhet të vlerësohet edhe përtej remitencave që sjell në vend

Ministri Xhemail Çupi: “Si ministër i angazhuar për diasporë në Qeverinë e RMV-së, qëllimi kryesor është të plotësoj misionin e strategjisë nacionale për diasporë të RMV-së për vitet 2019-2023”

Ministri i angazhuar për diasporë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Xhemail Çupi, në vizitën që ka realizuar në Zvicër, ka zhvilluar një sërë takimesh me mërgatën e RMV në këtë vend si dhe me institucionet zvicerane.

Në një intervistë për Albinfo.ch, z. Çupi, veç hollësive për vizitën në Zvicër, shpalos arritjet, problemet dhe synimet e resorit që udhëheq ai.

Albinfo.ch: Në fund të shtatorit të këtij viti realizuat një vizitë zyrtare disaditore në Zvicër. Cili ishte qëllimi i kësaj vizite?

Xhemail Çupi: Si ministër i angazhuar për diasporë në Qeverinë e RMV, nëpërmjet takimeve të drejtpërdrejta me përfaqësues të diasporës qëllimi kryesor është të plotësoj misionin e strategjisë nacionale për diasporë të RMV-së për vitet 2019-2023. Kjo strategji e përpiluar dhe miratuar nga Qeveria ka bëjë me rikthimin e besimit të diasporës te institucionet shtetërore. Njëkohësisht detyra ime është që të angazhohem në përmirësimin e pozitës së tyre në shtetin ku ata qëndrojnë, që nënkupton takime me institucionet përgjegjëse për migracion dhe integrim. Me këtë rast duke u interesuar për problemet e diasporës sonë dhe duke u garantuar atyre se shoqatat tona që veprojnë në vendet përkatëse janë kredibile, legjitime, të respektuar dhe gëzojnë mbështetjen e shtetit amë. E fundit por jo më pak e rëndësishmja është mbështetja për diasporën tonë gjatë kohës së ardhjes së tyre në vendlindje.

Për të qenë më konkret lidhur me pyetjen tuaj, arsyeja kryesore e vizitës sime në Zvicër është fakti se në këtë vend kemi diasporën më të madhe, si në aspektin statistikor d.m.th. si numër, po aq edhe në atë kualitativ. Kjo sepse diaspora jonë në Zvicër gëzon një reputacion të mirë dhe është e integruar në të gjitha fushat shoqërore.

Si rrjedhojë, fillimisht kisha takime me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, shtetërore dhe kantonale që të njoftohem për integrimin e tyre në shoqërinë zvicerane si dhe këmbim përvojash dhe propozime në lëmine e diasporës. Më tej kemi vijuar edhe me takimet me shoqatat aktive të fushave të ndryshme, si në kulturë, arsim, mjekësi, religjion e kështu me radhë.

Foto: Rromir Imami
Albinfo.ch: Vitin e kaluar u bë regjistrimi i popullsisë së RMV-së. Çfarë mund të na tregoni mbi të dhënat që dolën? Si qëndron puna me mërgatën nga RMV në Zvicër?

Xhemail Çupi: Regjistrimi i popullsisë në vend, i cili u mbajt nga 5 deri më 30 shtator 2021, dhe i cili u realizua nga Enti Shtetëror i Statistikës i RMV-së, ka shpallur rezultatet zyrtare, siç janë të njohura edhe publikisht. Por ajo që mendoj se është me interes për lexuesit tuaj janë rezultatet nga popullsia e përgjithshme jorezidentë e përfshirë në regjistrimin, ku bëjnë pjesë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut që ndodhen jashtë vendit në 12 muajt e fundit. Në regjistrimin e jorezidentëve kanë marrë pjesë 258.932 persona, prej tyre:

24.45% – Maqedonas

66.36% – Shqiptarë

4.79% – Turq

1.02% – Romë

0.19%- Vllehë

0.36% – Serbë

0.81% – Boshnjakë dhe të tjerë.

Në bazë të të dhënave nga regjistrimi i bërë në RMV, numri i përgjithshëm i qytetarëve të vetëregjistruar nga RMV në KZ është mbi 65.000 persona, por kjo shifër nga burime jozyrtare mund të jetë diku mbi 90.000. Ndërsa në takimin që realizova në Sekretariatin Shtetëror për Migracion të KZ në Bern u informova se sipas të dhënave të tyre zyrtare, diaspora jonë në Zvicër numëron rreth 77 mijë qytetarë me origjinë nga vendi ynë dhe se ata janë plotësisht të integruar në të gjitha rrjedhat e shtetit të tyre.

Albinfo.ch: Gjatë takimeve tuaja me mërgatën në Zvicër shpalosët një të dhënë interesante mbi kontributin që mërgata në përgjithësi jep në buxhetin e RMV-së, sidomos përmes remitencave. A mund ta elaboroni këtë çështje?

Foto: Rromir Imami
Xhemail Çupi: Pavarësisht faktit se Qeveria e RMV-së përpilon programe të ndryshme për lehtësime në procesin e thithjes së investimeve të huaja, mundësia për zona të lira ekonomike e shumë benefite të ndryshme, kur bëhet fjalë për remitencat, ideja është te ato inpute që vijnë në formë të çrregullt dhe të pa organizuar. Pra fjala është për paratë që vijnë përgjithësisht në formë të donacioneve dhe investimeve familjare. Ndërsa për çdo formë tjetër e investimeve që vjen nga diaspora jonë mendoj se theksi duhet të vendoset te të ashtuquajturat „investimet patriotike“ nëpër vendlindjet e sipërmarrësve të suksesshëm në diasporë, gjegjësisht investime të vogla që bëjnë ata në vendbanimet e tyre jo me qëllimin për të fituar diçka, por vetëm prej dashurisë që kanë për vendin e tyre dëshirojnë të lënë një shenjë dhe të punësojnë të rinjtë. Me pak fjalë, ata, në formë permanente i ndihmojnë pjesëtarët e familjeve të tyre, por kemi raste edhe të donacioneve të ndryshme që bëjnë për komunën me ndërtimin e infrastrukturës, renovimin e shkollave, kulteve fetare (xhami apo kisha).

Për fund, një e dhënë interesante nga Banka Botërore thotë se pjesëmarrja e diasporës në PBB (GDP) përmes remitencave të kanaleve zyrtare apo bankave arrin diku rreth 15%. Ndërsa nëse ia shtojmë kësaj faktin se zakonisht remitencat vijnë në forma jo zyrtare, mund të konstatojmë se çereku i GDP-së së shtetit vjen nga diaspora. Të njëjtat burime thonë se 11% të numrit të përgjithshëm të remitencave vijnë nga Zvicra.

Foto: Rromir Imami
Albinfo.ch: Cilat janë vështirësitë kryesore me të cilat ballafaqohen mërgimtarët kur vijnë në vendlindjen e tyre dhe çfarë bëni ju dhe kabineti juaj për të zbutur këto vështirësi?

Xhemail Çupi: Jo vetëm gjatë qëndrimit të diasporës në vendlindje, por edhe në çastin e hyrjes në shtet gjatë pushimeve verore ata ballafaqohen me pritje në radhë të gjata në vendkalimet/pikat kufitare, për çka ne jemi drejtuar zyrtarisht në MPB për marrjen e masave të lehtësimit gjatë hyrje/daljes në pikat kufitare, gjë që në një masë u përmirësua me hapjen edhe të një korsie shtesë dhe kjo në të ardhmen do të mbetet si angazhim shtesë i MPB.

Gjithashtu ish-shtetasit e RMV-së, të cilët për shkaqe të rregullimit të qëndrimit të tyre në shtetin e huaj e kanë lëshuar shtetësinë e RMV dhe kanë marrë shtetësinë e vendit të qëndrimit, ata si kategori e shtetasit të huaj janë të obliguar ta paraqesin qëndrimin e tyre (hyrje/dalje) në stacionin policorë në vendlindje, gjë e cila me ndërmjetësimin tonë tani u mundësohet që këtë proces ta bëjnë online.

Çdo pjesëtar i diasporës gjatë qëndrimit në RMV i gëzon të drejtat, por njëkohësisht ka edhe obligimet e veta. Duke marrë parasysh se pjesëtarët e diasporës nuk janë plotësisht të njoftuar me të drejtat dhe obligimet e tyre në vend, unë me kabinetin tim punojmë në projektin për hapjen e “Qendrave për informimin e diasporës” fillimisht me 23 komuna, të cilat përqafuan këtë projekt. Këto qendra do të ndihmojnë diasporën tonë gjatë qëndrimit në vendlindje për realizimin e shumë kërkesave të tyre administrative (dokumentacion personal), por edhe për mundësitë dhe kushtet për investim në shtetin amë, bashkëpunim me shoqatat lokale, mundësinë për binjakëzimin e qyteteve me ato qytete ku kemi diasporë më të madhe, e shumë shërbime të tjera.

Albinfo.ch: Po në Zvicër? Cilat janë vështirësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe ku ju dhe kabineti juaj mund t’i përmirësoni gjërat?

Xhemail Çupi: Përmenda më lart se gjatë vizitës sime zyrtare zhvillova takime me një numër të madh të shoqatave aktive në Zvicër, ku drejtpërsëdrejti dëgjova hallet e tyre. Këtu do të veçoja interesin e madh për zhvillimin e mësimit plotësues në gjuhën amtare, si dhe angazhimin e arsimtarëve të cilët përzgjidhen nëpërmjet konkursit që e shpallë Ministria e arsimit dhe shkencës së RMV, për të zhvilluar mësim plotësues për fëmijët e bashkëqytetarëve tanë që jetojnë dhe punojnë në vendet e huaja. Mundësinë që shoqatat aktive në Zvicër në bashkëpunim me shoqatat aktive në vendlindje të konkurrojnë në konkursin vjetor për kulturë për shtypje librash / revistash, manifestime kulturore etj.

Gjithashtu interes i madh u tregua edhe për hapjen e Qendrës informative-kulturore në Zvicër, gjë që për të cilën bëra kërkesë zyrtare në Ministrinë e Kulturës së RMV-së, për informim rreth procedurës për hapjen e një QIK në Zvicër.

Albinfo.ch: Në bazë të kontributit financiar që jep diaspora e Zvicrës, a mendoni qe ajo është e përfaqësuar mjaftueshëm në shtetin ku jeton dhe punon?

Xhemail Çupi: Fatkeqësisht jo, të paktën deri tani. Minimumi që duhet bërë për diasporën tone atje, është themelimi i Qendrës Kulturore Informative në Bernë, kërkesë e kamotshme kjo, por që deri tani ka mbetur e parealizuar. Personalisht sapo u ktheva nga vizita në Zvicër menjëherë bëra kërkesë në Ministrinë e Kulturës që edhe në këtë vend të kemi QIK, ashtu siç kemi në disa vende të tjera. Edhe në fushat tjera, pajtohem se duhet bërë më tepër, dhe për këtë arsye angazhimi im do të jetë me intensitet edhe më të lartë në të ardhmen për të plotësuar në masë të madhe kërkesat që ata i kanë ndaj shtetit, gjithmonë duke marrë parasysh kontributin e tyre që ata e japin në forma të ndryshme për shtetin e tyre amë, sidomos në vitin e kaluar me kontributin e të gjithë shoqatave në procesin e regjistrimit të diasporës.

Në këtë drejtim e çmoj lart kontributin që biznesmenë të shquar në Zvicër me prejardhje nga Maqedonia e Veriut e japin në vendbanimet e tyre dhe në përgjithësi në tërë shtetin në forma të ndryshme, si në investime në Zonat e lira tekniko-industriale, por jo më pak e rëndësishme edhe në fushën e kulturës dhe informimit, siç jeni Ju, Platforma Mediale Albinfo.ch, Qendra kulturore “NOMART” e shumë të tjera.

Albinfo.ch: Cilët janë hapat tuaj të mëtutjeshëm lidhur me diasporën në përgjithësi dhe atë në Zvicër, në veçanti?

Xhemail Çupi: Me siguri se këtu nuk do të ndalemi, por aktivitetet tona në të mirë të diasporës në përgjithësi ku diaspora jonë është në numër më të madh do të vazhdojë me vizitat e punës dhe takime me përfaqësues të komuniteteve, komuniteteve kishtare, këshilla të xhamive, shoqatave kulturore, arsimore dhe sportive e tj., që do të thotë se me Buxhetin e RMV për Vitin 2023 që do t`i ndahet Ministrit të angazhuar për diasporë do të mundësojë t’u qasemi edhe projekteve të tjera që rrjedhin nga Strategjia nacionale për bashkëpunim me diasporën.

Intervistën e realizoi Rromir Imami