Elfete Ismaili, ish zëvendësministre e Mbrojtjes dhe kryetare e Asamblesë së Gruas pranë Aleanca për Shqiptarët, ka reaguar publikisht lidhur me rastet e raportuara të dhunës ndaj pjesëtarëve të Armatës, duke e cilësuar situatën si alarm serioz për çdo shtet që pretendon profesionalizëm dhe standarde demokratike.
Në reagimin e saj, Ismaili thekson se dhuna brenda strukturave të sigurisë, konkretisht në strukturat e Armatës, përbën cenim të dinjitetit njerëzor dhe të besimit institucional.
“Asnjë epror nuk ka të drejtë të abuzojë me autoritetin apo të cenojë dinjitetin dhe sigurinë e ushtarëve. Institucionet duhet të reagojnë me transparencë, përgjegjësi dhe masa të qarta, sepse heshtja vetëm e normalizon dhunën”, thuhet në reagim.
Ajo shton se kur një pjesëtar i Armatës dhunohet nga një epror, nuk kemi të bëjmë vetëm me një incident individual, por me cenim të hierarkisë së shëndoshë dhe të standardeve etike brenda institucionit. Sipas saj, autoriteti ushtarak buron nga përgjegjësia dhe shembulli, jo nga frika apo abuzimi.
Ismaili kërkon reagim të qartë, transparent dhe institucional nga organet kompetente, duke paralajmëruar se çdo tentativë për relativizim apo heshtje vetëm sa e thellon problemin.
“Armatës i duhet profesionalizëm, respekt dhe standarde të larta etike – jo frikë dhe abuzim me pushtetin. Respekt për uniformën do të thotë respekt për njeriun që e mban atë”, përfundon reagimi i saj.

