Deri në mes të muajit mars do të ketë rritje të pagave në Maqedoninë e Veriut përmes Marrëveshjes Kolektive, besojnë nga sindikata
Në takimet e zhvilluara në Këshillin e Sindikatës për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, u diskutua për Marrëveshjen Kolektive, duke vlerësuar që deri në mesin e muajit mars do të ketë një të tillë në Maqedoninë e Veriut transmeton Portalb.mk.
“U mbajt seancë e Këshillit të SASHK-ut, ku u diskutua për çështjet aktuale në përgjegjësi të SASHK-ut. Më së shumti theksi u vendos në çështjen e harmonizimit të rrogave në çerdhe, shkollat fillore dhe të mesme, konviktet e nxënësve dhe studentëve sipas Ligjit dhe Marrëveshjes Kolektive”, sqarojnë nga Sindikata.
Ata vlerësojnë që përmes dialogut social do të arrihet deri te zgjidhja, përndryshe Sindikata do të vendosë të mbrojë interesat e tyre.
“Këshilli veson që deri në mesin e muajit mars do të nënshkruhet Marrëveshja Kolektive dhe do të zgjidhet ky problem. Në të kundërtën, Këshilli i SASHK-ut do të sjellë Vendim me çka do të mbrojë interesat e veta sociale”, sqarojnë nga sindikata.
Ndryshe, Jakim Nedelkov nga Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë më 9 shkurt ka paralajmëruar radikalizim të reagimeve në rast se Qeveria nuk do të rritë edhe pagat e punëtorëve të tjerë.
“Prioritet i bisedimeve ishte nënshkrimi i Marrëveshjes Kolektive për shkollat fillore dhe të mesme, me çka do të tejkalohet problemi i harmonizimit dhe rritjes së rrogave te të punësuarit në arsim. U dakorduam për përshpejtimin e bisedimeve të cilat duhet të mbarojnë deri më 15 mars me nënshkrimin e Marrëveshjes së re kolektive”, deklaroi Nedelkov pas takimit me Shaqirin.
Në seancën e 11-të qeveritare dhe pastaj në Kuvend, u miratuan ndryshimet dhe plotësimet për Ligjin për pagat minimale, ku theksohet që nga muaji mars, rroga minimale nuk duhet të jetë nën 18 mijë denarë. Me këto ndryshime ligjore, planifikohet që çdo vjet, rroga minimale të mos jetë nen 57 nga rroga mesatare.
Enti Shtetëror i Statistikave ka njoftuar se në muajin nëntor, rroga mesatare bruto në Maqedoninë e Veriut ka qenë 43 509 denarë, ndërsa ajo neto 29 130 denarë.
Gjithashtu, në muajin janar Qeveria e Maqedonisë së Veriut kishte premtuar rritje për 20% deri në 30% ose deri në 34 mijë denarë në katër vitet e ardhshme. Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në fushatën parazgjedhore parlamentare për zgjedhjet e 15 korrikut premtoi se paga mesatare do të jetë 34 mijë denarë.