Etem Xheladini
A kanë të ndalur nënçmimet, ofendimet dhe trajtimet diskriminuese ndaj shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut?
Ku mbetën premtimet e pushtetit të Mickoskit dhe partnerëve të tij participient (shqiptar) në Qeverinë për ndryshim, barazi dhe respekt institucional?
Deri kur duhet ta dëgjojmë të njëjtin avaz të vjetër, me ligjin për gjuhët, me balancuesin, me punësimet gjithmonë duke anashkaluar proporcionalitetin, me bursat e shpërndara në mënyrë të padrejtë nga kryetarja e shtetit, me dënimet për përdorimin e flamurit kombëtar dhe me fyerjet e hapura nëpër tekstet shkollore.
Deri kur duhet të tolerohen këto ofendime?
Këto nuk janë gabime të rastësishme. Kjo është vazhdimësi e një nënçmimi të strukturuar, që herë pas here merr formën e politikës zyrtare dhe na dërgon një mesazh të qartë: “Shteti është vetëm i maqedonasve.”
Përgjegjësia institucionale, jo vetëm e njëanshme!
Sot me qëllimin më të mirë dua t’i drejtohem posaçërisht zëvendësministrit të arsimit, z. Lulzim Aliu. Ku jeni, z. Aliu, kur në tekstet shkollore për gjeneratat e reja lejohen gabime ofenduese, shtrembërime historike dhe përmbajtje që ul dinjitetin e shqiptarëve. Ka që janë trashëguar nga e kaluara, por shumë të tjera po botohen edhe tani, nën mandatin tuaj, si rasti i tekstit të gjeografisë për klasën e shtatë.
Përse heshtni?
Ja ku e keni një arsye të fortë për ta ngritur zërin, për të kërkuar përgjegjësi dhe për të mos u bërë pjesë e një zinxhiri që riprodhon padrejtësi. Mos u këshilloni me njerëz që kanë alergji ndaj librave. Ka ardhur koha të konsultoheni me profesionistë, me njerëz që i duan librat, dijen dhe arsimin, jo me individë që e shohin arsimin si barrë dhe tekstet shkollore si dekor. Sepse pikërisht prej rrethimit me njerëz të tillë ndodhin absurditete si ai i përfshirjes së Kosovës në tekste me terminologji fyese, të trashëguar nga propaganda e dikurshme serbe. A do të thuhet edhe këtë herë se “nuk është faji ynë, i gjetëm ashtu”. Deri kur do të përdoret ky justifikim i vjetër?
Turpi dhe përgjegjësia profesionale!
Mjerim dhe turp është kur një shqiptar sheh në libra fyerje, shtrembërime dhe nënçmime ndaj shqiptarëve, dhe hesht. Në këtë rast përgjegjësia bie edhe mbi lektorët dhe përkthyesit shqiptarë që, për pak para, lejojnë të kalojnë gabime të rënda që prekin dinjitetin kombëtar dhe edukimin e fëmijëve tanë.
Këto nuk janë “gabime teknike”. Këto janë plagë të hapura në vetëdijen e brezave. Dhe pyetja që duhet bërë çdo ditë është kjo: Deri kur?
Deri kur shqiptarët do të duhen të durojnë ofendime, mosrespektim dhe përjashtim institucional në vendin ku janë popull shtetformues. Deri kur të heshtin zyrtarët që duhet të mbrojnë arsimin shqip, të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve.
Kohën e justifikimeve duhet kaluar sa më parë.
Koha e përgjegjësisë ka ardhur, sa më parë fajtorët të nxirren para drejtësisë.

