(Thirrje e fortë për dinjitet dhe barazi në arsim)

Etem Xheladini

Sa herë duhet të përsëritet e njëjta histori, sa herë duhet që shqiptarët të dalin në rrugë për të kërkuar diçka që u takon me ligj dhe me të drejtë natyrore.
E drejta për t’u shkolluar në gjuhën amtare, në shkollat e mesme dhe universitete, nuk ka ardhur si dhuratë. Ajo është fituar me sakrificë, me përballje, me rezistencë. Në të kaluarën, përballë kërkesave të drejta dhe protestave të shumta, pushteti reagonte me shtypje, duke u fshehur pas një justifikimi të vjetër, “ligji nuk e lejon”. Një ligj i bërë njëanshëm, për të mohuar, jo për të garantuar të drejtat.
Sot, me dhimbje, dëgjojmë të njëjtin refren. Kryeministri Mickovski përsërit të njëjtin arsyetim, “ligji është pengesë” për të mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Madje, shkon edhe më tej, duke fajësuar studentët, duke i etiketuar si të ndikuar nga politika. Kjo nuk është vetëm shmangie përgjegjësie, është nënvlerësim i inteligjencës dhe dinjitetit të rinisë.
Sepse e vërteta është e qartë, kjo e drejtë nuk është lëmoshë, nuk është privilegj. Është e drejtë e fituar me ligj, me sakrificë dhe me përkushtim ndër vite.
Dhe çdo përpjekje për ta mohuar është goditje e drejtpërdrejtë ndaj barazisë dhe vetë shtetit të së drejtës. Sot, kur studentët ngrihen për të mbrojtur atë që u takon, pushteti përpiqet ta zbehë zërin e tyre. Protesta etiketohet si politike, përgjegjësia hidhet te opozita, ndërsa realiteti lihet në hije. Por faktet nuk mund të fshihen, edhe përfaqësues të pozitës shqiptare në qeveri i mbështesin studentët, sepse kjo është e drejtë, jo çështje partie.
Ndërkohë, kryeministri zgjedh të fshihet pas arsyetimeve të dobëta, në vend që të përballet me realitetin dhe të marrë përgjegjësinë që i takon.
Sepse e vërteta është kjo, kur cenohet një e drejtë, rezistenca nuk është zgjedhje, është detyrim.
Dhe le të jemi të qartë, ata që sot janë kundër protestës, nuk janë neutralë, ara janë kundër barazisë. Heshtja përballë padrejtësisë nuk është paqe, është bashkëfajësi.
Pyetja që mbetet është e thjeshtë dhe therëse, deri kur do të duhet të protestojmë për të qenë të barabartë në vendin tonë.

sqShqip