Departamenti i Shtetit: Korrupsioni ka potencial të minojë ambiciet strategjike të RMV-së
Korrupsioni ka potencialin të minojë ambiciet strategjike të Maqedonisë, deklaroi Departamenti i Shtetit i SHBA-së për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase kur u pyet nëse ndryshimet në Kodin Penal, të cilat ulin dënimet për shpërdorim detyre dhe bashkim kriminal, do ta bëjnë më të vështirë për SHBA-në që të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit në vend. Nga atje, ata i bënë thirrje vendit që të përmbushë premtimet e tij për të luftuar korrupsionin dhe për të parandaluar ndërhyrjet politike në gjyqësor, dhe që autoritetet të tregojnë rezultate të forta, transmeton Portalb.mk.
“Korrupsioni ka potencial për të minuar ambiciet strategjike të Maqedonisë. Liderët duhet të demonstrojnë rezultate të forta, të prekshme, kundër korrupsionit duke forcuar pavarësinë institucionale dhe duke parandaluar ndërhyrjet politike, veçanërisht në gjyqësor, e cila është thelbësore për përmbushjen e qëllimeve të anëtarësimit në BE dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në qeveri”, njoftuan nga shërbimi për shtyp i departamentit.
Ndryshimet në Kodin Penal kaluan në procedurë eksprese parlamentare. Kreu i shtetit Stevo Pendarovski e ka nënshkruar dekretin, i cili do të hyjë në fuqi pas disa ditësh. Arsyetimi i qeverisë ishte se amendamentet që i kanë dorëzuar në Kuvend me flamur evropian janë bërë në përputhje me direktivat e BE-së dhe kryeministri Kovaçevski siguroi se nuk ka pazar rreth ndryshimeve kushtetuese me VMRO DPMNE-në. LSDM-ja në pushtet i quajti të pasinqerta vërejtjet e partisë më të madhe opozitare sepse nuk ka pasur asnjë amendament dhe pretendojnë se nuk do të ketë vjetrim.
“Për sa i përket vërejtjeve dhe sinqeritetit të opozitës, e kemi parë në shumë raste se sa të sinqertë kanë qenë, pra sa rrejshëm kanë qenë të sinqertë. Kështu edhe në këtë rast. Nuk ka asnjë ndryshim të vetëm për ligjin specifik. Nuk do të vjetërohen, ka një numër të madh nenesh që janë, konkretisht për çështjet e dala nga PSP, dhe kushdo që ka shkelur Kodin Penal dhe kushdo që ka kryer një krim, sipas Kodit Penal, do të mbajë përgjegjës”, tha Darko Kaevski nga LSDM.
VMRO DPMNE, nga ana tjetër, akuzon koalicionin qeverisës se ka votuar, siç thonë ata, amnisti për zyrtarët e saj.
“Kjo është vetëm një dëshmi tjetër e asaj që pretendojmë prej ditësh, se LSDM dhe BDI jashtë procedurës, jashtë logjikës, votuan amnisti për veten e tyre dhe për krime të shumta të pandëshkuara dhe afera korruptive, duke u frikësuar nga zgjedhjet dhe ajo që do të pasojë pas zgjedhjeve. Por ne do të premtojmë një gjë, ajo është se do të ketë përgjegjësi për të gjithë”, tha Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO DPMNE.
Ndryshimet parashikojnë dënime drastike më të ulëta se më parë për veprat e bashkimit kriminal dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe fshihet paragrafi 5 i nenit 353 për abuzimet në prokurimet publike, nga të cilat, sipas organizatave joqeveritare, do të përfitojnë shumë funksionarë të dikurshëm dhe aktualë.
Pavarësisht thirrjeve për të mos e nënshkruar dekretin, presidenti Pendarovski megjithatë veproi në mënyrë të kundërt.
Kujtojmë se Qeveria i propozoi Kuvendit ndryshime në Kodin Penal (KP) , i cili u votua dje. “Pro” votuan 48 deputetë, “kundër” 36 dhe një “abstenim”. Ligji është miratuar me flamur evropian, me procedurë të përshpejtuar, sepse, siç thanë nga Qeveria në seancë, nga gjithsej 38 nene në ndryshimet dhe plotësimet ligjore, 35 janë me direktiva të BE-së. Por pikërisht ndryshimet në nenin 353, që i referohet krimit të zyrtarëve, nuk janë ndër ato 35 nene.
Sipas ndryshimeve të miratuara, dispozitat e nenit 353 për dënimet me burgim së paku tre dhe pesë vjet duhet të shfuqizohen dhe në vend të tyre të vendoset dënimi me burgim nga një deri në katër vjet. Me përcaktimin e kufirit të sipërm të dënimit të mundshëm me burg, hapet mundësia e vjetërimit edhe më të shpejtë, gjë që tashmë është bërë praktikë në çështjet gjyqësore me ish-zyrtarë.
Ndryshime të tilla ligjore VMRO-DPMNE-ja i kishte kërkuar në vitin 2018 në takimet e atëhershme të kryesisë së Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, me qëllim të vjetërimit të veprave të ish-funksionarëve të akuzuar nga Qeveria e Nikolla Gruevskit.