May 22, 2024
Maqedoni

Dënimi me kusht për të akuzuarit e spitalit modular, reagon Alternativa: Kjo është djegie e dytë!

Partia Alternativa, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Tetovës, për të dënuar vetëm më kusht, ish drejtorin e spitalit të Tetovës, Florim Besimi dhe ish drejtorin ekonomik Artan Etemi. Nga Alternativa thonë se më këtë vendim edhe një herë është dëshmuar se në Maqedoninë e Veriut, jo vetëm që ka gjyqësor të politizuar “porse u shpërfaq në mënyrën më brutale dhe të pamëshirshme, kjo për të satën herë, se në Maqedoninë e Veriut institucionet e drejtësisë veç drejtësi nuk ndajnë”.
“Një dëm katastrofal, me 14 pacientë të djegur në zjarr, të ndëshkohet me të a.q. dënime me kusht është një djegie e dytë për viktimat dhe për familjarët e tyre. Pyetja themelore që shtrohet në këtë rast është se a do ta kishim dënimin e njëjtë nëse drejtor i spitalit nuk do të ishte vëllai i ministrit të përhershëm të secilës qeveri, Fatmir Besimi?”, thuhet në reagimin e Alternativës.
Ata pyesin edhe cili është roli i Aleancës për Shqiptarët, e cila udhëheq me resorin e drejtësisë.
“Cili është kontributi i saj dhe cila është merita e saj kundrejt vendimeve të këtilla skajshmërisht të politizuara? Vendimi i sotëm e përdëfton konstatimin tonë, të deklaruar shumë herë, se Bashkimi Europian duhet ta shqyrtojë seriozisht këtë alarm, sepse shpresa e vetme që edhe në Maqedoninë e Veriut të ketë drejtësi është që sistemi gjyqësor të ridefinohet plotësisht, në mënyrë që të depolitizohet dhe të vihet në shërbim të gjithë qytetarëve”, qëndron në reagimin e Alternativës.