May 22, 2024
Maqedoni

Dendias vjen në Shkup, do të bëhet evaluim i zbatimit të Marrëveshjes së Prespës

Shefi i diplomacisë së Greqisë Nikos Dendias nga fundi i muajit vjen për vizitë në Maqedoninë e Veriut, me ç’rast do të bëhet edhe evaluimi i zbatimit të obligimeve nga Marrëveshja e Prespës, ndërsa do të bisedohet edhe për mbështetjen e Athinës lidhur me integrimin tonë evropian, paralajmëroi sot ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.

“Mendoj se është një vizitë e rëndësishme, vizitë kthyese pas vizitës time në Athinë dhe flet për intensitetin e komunikimit në nivel të lartë që është reflektim i marrëdhënieve të mira bilaterale midis vendeve tona të cilat janë më shumë sesa thjesht zbatim i Marrëveshjes së Prespës, sepse Marrëveshja e Prespës parashikoi krijim të partneritetit strategjik midis dy vendeve tona dhe ne vazhdimësi e ndërtojmë dhe e përmirësojmë në kontekstin politik dhe ekonomik”, tha Osmani në pyetje të gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp në MPJ me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Theksoi se në MPJ është formuar grup pune për ndjekjen e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës duke përfshirë edhe koordinator dhe vazhdimisht ndiqen në bazë javore obligimet tona.