Etem Xheladini

Më burrë është ai që pranon verdiktin e popullit, sidomos kur ai verdikt e ndëshkon me humbje.
Në këtë fjali qëndron themeli i kulturës demokratike, i moralit politik dhe i pjekurisë qytetare që, për fat të keq, ende nuk është rrënjosur plotësisht në shoqërinë tonë.
Pas rënies së sistemit totalitar, demokracia tek ne, në vend që të kuptohej si rend i lirisë dhe përgjegjësisë, u keqkuptua si liri pa kufij, si jetë pa rregulla, pa kritere dhe pa rend shoqëror apo shtetëror.
Në vend që politika të shihej si art i shërbimit ndaj kombit dhe qytetarit, ajo u kthye në art të pasurimit personal, të korrupsionit dhe të interesit klanor.
Këto deformime shfaqen më së miri në periudhat zgjedhore. Në vend që të jenë gara idesh, programesh dhe vizionesh, fushatat shpesh shndërrohen në beteja personale e klanore për pushtet. Ende nuk është kuptuar se zgjedhjet nuk janë luftë për jetë a vdekje, por një proces demokratik ku qytetarët vendosin se kujt i besojnë drejtimin e punëve të përbashkëta.
Pushteti duhet të shihet si përgjegjësi, jo si privilegj; si mundësi për të shërbyer, jo si mjet për t’u pasuruar apo për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarit. Në çdo garë ka fitore dhe humbje. Ai që thotë “unë nuk njoh humbje”, në të vërtetë nuk njeh demokraci. Një politikan i tillë nuk i shërben shoqërisë, sepse pushtetin e sheh si pronë të vetën.
Kushdo që humbë, nëse është burrë, duhet të tregojë karakter, të pranojë vullnetin e popullit dhe t’i urojë fituesit me dinjitet. Populli nuk gabon, ai vendos sipas ndërgjegjes, përvojës dhe besimit të vet.
Prandaj, humbja nuk duhet parë si turp, por si pjesë e natyrshme e jetës dhe e garës demokratike. Duhet pranuar me dinjitet, pa vajtime, pa justifikime e pa fyerje. Të tërhiqesh me dinjitet është më e madhe se të fitosh me mashtrim.
Të urojësh kundërshtarin është më fisnike se të akuzosh popullin për “moskuptim”. Demokracia është provë karakteri. Ajo kërkon kulturë qytetare, pjekuri politike dhe ndjenjë kombëtare. Vetëm atëherë kur kundërshtarët politikë janë të aftë t’i zgjatin dorën njëri, tjetrit, të pranojnë rotacionin e pushtetit dhe të ruajnë respektin për votën e qytetarëve, mund të themi se kemi filluar ta kuptojmë vërtet demokracinë.
Në fund të fundit, fiton ai që di të humbasë me dinjitet, sepse burrëria dhe demokracia nuk maten me numra, por me karakter.

sqShqip