Maqedoni

Dehari: Kërkojmë shtyrjen e vitit shkollor ose mësim online

Kryetari i Komunës së Kërçovës, Famtir Dehari ka njoftuar se deri te Komisioni për sëmundje ngjitëse është kërkuar që të shtyhet fillimi i vitit shkollor ose mësimi të zhvillohet online.

Përgjigje nga KSN ende nuk kanë marrë.

“Duke e ndjekur nga afër gjendjen me pandeminë në qytetin e Kërçovës, sot Shatabi i krizës në mbledhjen e mbajtur shqyrtoi kërkesat nga ana e Këshillave të prindëve nga shkollat fillore dhe të mesme, me ç’rast vendosëm që t’i drejtohemi Komisionit për sëmundje ngjitëse me Kërkesë për shtyrje të fillimit të vitit shkollor, ose mbajtjen e mësimit nga distanca në kohë të caktuar. Jemi në pritje të përgjigjes nga organet kompetente, me shpresë se kërkesa jonë do të pranohet dhe me këtë do të zbusim përhapjen e virusit në mesin e banorëve të Kërçovës.Me marrjen e përgjigjes, do të informoheni në kohë për fillimin e vitit shkollor”, njofton Dehari, transmeton TV21.

Ditë më parë edhe komuna Mavrovë dhe Rostushe kanë kërkuar mësim online dhe Komuna e Tetovës.

Për Mavrovë dhe Rostushe nuk ka ende vendim, ndërkohë që në Tetovë dhe Gostivar mësimi në shkollat fillore do të fillojë me prani fizike, kurse në shkollat e mesme dy javët e para do të mësohet online.

Kjo kërkesë bëhet për shkak të rritjes së rasteve pozitive dhe shtimit të pacientëve të hospitalizuar në komunat në fjalë.