Dehari: Hap pas hapi qytetit tuaj e tonit po i japim formën e metropoleve moderne europiane
Kryetari Kërçovës Fatmir Dehari përmes një postimi në rrjetin social facebook ka falënderuar mërgimtarët e shumtë që këtë vit vizituan vendlindjen e tyre. “Ju mbeteni shtytësit dhe motivi ynë më i fuqishëm për të hedhur hapa të mëdhenj drejt përmirësimit e ndërtimit të ri infrastrukturor të qytetit”, ka shkruar mes tjerash Dehari.
Postimi i plotë:
Të dashur bashkëvendas të mi.
Ju erdhët dhe gjallëruat tërë qytetin. I dhatë frymën e kënaqësisë e të optimizmit. Kthyet dhe madhështinë e dasmave e shpresa rilindi ndër njerëz, familjarë e dashamirë me bindjen se gjithçka do të bëhet mirë e mirë, veç shëndeti të na prijë.
Tash që ju po ktheheni në vendet e punës dhe të tjerët që ngadalë po përgatiten për në rrugë, ne përzemërsisht ju urojmë shëndet, të mbërrini mbarë e mirë e I Madhi Zot t’ju ruaj e t’ju mbrojë edhe nga e liga e kësaj pandemie! Duke qenë të kujdesshëm për veten e për familjen, urojmë t’ju prijë I Madhërishmi të jeni të suksesshëm në përmbushjen e planeve tuaja, të qëndroni unik e të na vini si gjithmonë ngadhnjimtarë e ballëlartë, të lumtur e të ngazëllyer që po shihni një fytyrë të re të krenarisë suaj Uskanës së lashtë.
Ndërsa ne vazhdojmë me përpikmëri të realizojmë projektet e filluara e t’i përmbyllim në afatet e caktuara. Ju mbeteni shtytesit dhe motivi ynë më i fuqishëm për të hedhur hapa të medhej drejt përmirësimit e ndërtimit te ri infrastrukturor të qytetit. Kemi gjetur shtigje të sigurta drejt zgjidhjes së shumë problemeve që si qytetar i keni nëpër vendabanime e lagje të qytetit.
Ndaj jemi të pandalshëm në konkretizimin e objektivave tona. Mu për këtë nuk ka cep të kësaj hapësire urbane e rurale që nuk është prekur. Me po këtë dëshirë të flaktë, do të vazhdojmë të punojmë, aq më tepër që çdo ditë vijnë momente që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, sa tejkalojmë edhe oraret që ta manifestojmë gatishmërinë tonë në të mirën Tuaj.
Hap pas hapi qytetit tuaj e tonit po i japim formën e metropoleve moderne evropiane. Punës nuk i trembemi, ndaj jetësojmë planet, zotimet dhe detyrat që i kemi marrë persipër.
Na priftë e mbara neve dhe juve!