May 3, 2024
Sport

De Gea: Do të mundohemi të marrim edhe një trofe

Man. Junajtedi ka kaluar në finalen e madhe të FA Kupës së Anglisë, vetëm pas ekzekutimit të penalltive në gjysmëfinale ndaj Brajtonit. E në finale Junajted do të përballet me rivalin lokal Man. Siti, ku do të tentojnë ta fitojnë këtë trofe.

Më meritori për këtë fitore të “Djajve të Kuq”, padyshim se ishte David De Gea duke pritur penalltinë, por edhe duke bërë shumë pritje gjatë 120 minutave.

Portieri spanjoll ka folur për finalen, duke thënë se kanë kapacitet ta mposhtin rivalin lokal në finalen e madhe të “Uembli”.

“Ishte një ndeshje e vështirë përballë Brajtonit, përballë kishim një skuadër shumë të mirë. Ishim përgatitur edhe për penalltitë dhe u mundova t’i ushtroja pak presion gjuajtësve të Brajtonit. Ne nga ana tjetër ishim perfekt. Siguruam një tjetër finale pas asaj në Kupën e Ligës, edhe pse tani duhet të përqëndrohemi pak tek ndeshja e kampionatit me Totenhamin. Ka kohë për finalen dhe jam i sigurt se ndaj Man. Sitit do të jetë një ndeshje e madhe. Ata janë një prej skuadrave më të mira në Evropë, por në këtë sezon kemi treguar se dimë si t’i mposhtim.

Në këtë sezon e kemi fituar një trofe, do të mundohemi të marrim një tjetër dhe duhet të sigurojmë një vend mes katër më të mirave të kampionatit. Sigurisht, nuk është mjaftueshëm për një klub si Junajtedi, por jemi përmirësuar në krahasim me sezonin e kaluar. Kemi ndeshje të mëdha përpara dhe duhet të jemi gati”, tha De Gea.

Kujtojmë që Djajtë e Kuq tanimë kanë fituar “Carabao Cup” dhe synojnë ta bëjnë të njëjtën gjë në FA Kupën e Anglisë.