May 25, 2024
Maqedoni

Dauti: Ka munguar transparenca nga takimet e kryetarit me subjektet tjera

Këshilli Drejtues i ASH-së sipas Ilire Dautit nuk është mbledhur për një kohë të gjatë dhe nuk ka diskutuar për bisedimet që kreu i partisë i ka zhvilluar me subjektet tjera. Ajo shtoi se ka pasur mungesë transparence nga ana e kryetarit të ASH-së dhe se ai është dashur në këto takime të marrë me vete edhe përfaqësues tjerë nga kryesia.

“Ajo që ne e konsiderojmë shumë serioze dhe shkelja që është bërë në këtë rast është që Kryesia e partisë ka një qëndrim, thuajse unanim, që ASH të garojë e vetme në zgjedhje. Në ndërkohë që ky është qëndrimi i partisë, unë besoj se askush nga ne individualisht nuk e kemi të drejtën, pa mos e rrëzuar këtë qëndrim të marrim dhe të ndërtojmë një qëndrim dhe propozim tjetër”, tha mes tjerash Ilire Dauti në Klan Debat me Xhumadije Ibraimin.

Ilire Dauti: Nuk gjetëm bashkëpunëtor korrekt – ASH e vetme në zgjedhje!

Ilire Dauti nga ASH ka akuzuar sonte partitë opozitare shqiptare si të pabesa në raport me ASH-në. Sipas saj, edhe Alternativa edhe Lëvizja Besa e kanë prerë në besë ASH-në në zgjedhjet e kaluara. Prandaj, sipas saj, kjo parti duhet që të garojë e vetme në zgjedhjet e 8 majit.

“ASH nuk është krijuar që të ngjajë me dikë. Prandaj meqënëse nuk e gjeti këtë bashkëpunëtor me të cilin do të mund t’i bashkonin forcat me korrektësi dhe ashtu siç iu ka hije shqiptarëve, atëherë ASH-së i mbetet të shkojë e vetme në zgjedhje”, u shpreh Ilire Dauti./tvklan.mk