Darka në Bruksel, Albin Kurti: Disa vende në Ballkan ende dominohen nga kriminelë
Në Bruksel u mbajt darka e organizuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve të BP. Për herë të parë aty ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit.
Qëllimi i shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell ishte që liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor të shkëmbejnë mendime për çështje shumë të rëndësishme, në një atmosferë më të relaksuar. Borrell tha në prag të takimit se Ballkani Petrëndimor është një rajon gjeostrategjik shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, ndërkohë që shumë njerëz në këto vende janë të dëshpëruar me angazhimin e BE dhe me procesin e integrimit. Ai ka paraqitur në një dokument edhe propozime konkrete për zgjidhjen e shumë problemeve në raport me këto vende.
Darka e përbashkët u mbajt në nivelin e kryeministrave, përveç Malit të Zi, i cili u prezantua nga presidenti. Ndërsa nga BE ishte edhe komisioneri për zgjerimin. Darka e përbashkët ku ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Kosovës, Albin Kurti, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe përfaqësuesi i Bosnjë-Hercegovinës, ka zgjatur rreth dy orë.
Kurti pas darkës deklaroi për mediat e Kosovës se BE-ja duhet t’i përmbahet tri vlerave, në mesin e të cilave është edhe përballja me të kaluarën. Kurti tha se në shtete të Ballkanit Perëndimor ka ende “kriminelë të luftës dhe të paqes”, duke aluduar për kreun e shtetit të Serbisë.
“Kriminelët e luftës dhe paqës”
“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse u përmbahen 3 vlerave: demokratizimit, sundimit të ligjit – nëse luftohen oligarkitë në ekonomi – dhe ballafaqimit me të kaluarën, pra duhet të eliminohen nga skena politike e institucionale kriminelët e luftës e paqes”, theksoi Kurti duke shtuar se “edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor kemi kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në institucione”.
Takimi i radhës në këtë format do të mbahet në një prej vendeve të Ballkanit, bëri të ditur kryeministri i Kosovës.
Ndër kërkesat e tij kryesore në këtë takim ishte liberalizimi i vizave dhe domosdoshmëria e rritjes ekonomike, si pasojë e investimeve që vijnë nga Evropa. Në kornizat e këtij takimi ai ka përmendur edhe domosdoshmërinë e njohjes së Kosovës nga pesë vendet e tjera të BE, që nuk e kanë njohur deri më tani – Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro. Gjatë ditës së djeshme Kurti është takuar edhe me ndërmjetësin e BE në dialog, Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas Kurtit,dialogu mund të vazhdojë diku nga mesi i qershorit, ndërsa ai premton se do të përgatitet mirë për këto takime dhe do të ketë konsultime me liderët e partive opozitare në Kosovë.
Pa takim të ndarë Kurti-Brnabiq
Serbinë në këtë takim e ka përfaqësuar Ana Brnabiq, e jo presidenti Aleksandar Vuçiq, siç është pritur. Brnabiq shpreson se “viti 2021 do të jetë më i suksesshëm për Serbinë dhe të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”. Ajo tha se darka e përbashkët ka qenë e suksesshme dhe e organizuar ” nga njerëz, të cilët vërtet duan ta çojnë përpara procesin e zgjerimit”.
“Do të thosha se kësaj radhe kemi trokitur në dyer të hapura. Një rekomandim i mirë ishte që të jemi më shpesh të gjithë së bashku prezent në vendet anëtare të BE dhe të bisedojmë më shumë me ta, e të informohem për qëndrimet e tyre ndaj vendeve tona. Për shkak të pandemisë Corona, këto vende janë më pak të informuara për vendet e BP”, tha Brnabiq. Ajo shtoi se këtë vit duhet të fillojnë punimet edhe në projektet rrugore prej Nishit, përmes Prishtinës deri në Durrës. Në fillimin e ndërtimeve do të jenë të pranishëm edhe përfaqësuesit e BE.
Brnabiq tha shkurt se me Albin Kurtin nuk ka pasur bisedime të ndara. Brnabiq tha se gjatë darkës nuk ka pasur provokime dhe se ata janë përpjekur të bisedojnë për të ardhmen. Kryeministrja e Serbisë tha se Serbia do të jetë më e pranishme në vendet anëtare dhe do të shpjegojë se çfarë po ndodh, dhe se ishte e sigurt se vendet anëtare të BE i kanë kuptuar shumë gjëra që kanë të bëjnë me rajonin.
“Një prej tyre është që kur vijnë në Serbi, Maqedoni të Veriut apo në Shqipëri, shtetasit e këtyre vendeve nuk kanë nevojë për pasaportë, por kalojnë vetëm me letërnjoftime. Gjërat e tilla duhet të vazhdojnë të promovohen”, theksoi Brnabiq.
Brnabiq nuk foli për dialogun me Kosovën apo ndonjë takim me Kurtin. Ndërsa sa i përket dialogut me Kosovën, një ditë më parë është deklaruar vetë presidenti Vuçiq, i cili pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg, e më pas edhe ndërmjetësin Lajçak ka deklaruar se Serbia është e gatshme për vazhdimin e dialogut me Prishtinën për arritjen e një kompromisi. Takimi i parë zyrtar i Kurtit me Vuçiqin, i ndërmjetësuar nga BE, do të mbahet nga mesi i qershorit./DW