April 28, 2024
Maqedoni

Danella Arsovska do të formojë parti?! A po u rritet konkurrenca LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së?

Me shumë gjasa një parti e re politike do të shfaqet në skenën politike. Sipas informacioneve të TV21, ajo që deri më tani ishte vetëm një ide, së shpejti mund të bëhet realitet, e kjo është që kryetarja e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, të formojë partinë e saj politike.

Siç mësojmë, ideja ekziston prej kohësh dhe bazohet në vlerësimin e këshilltarëve të saj se ka pasur mbështetje të madhe nga qytetarët, gjegjësisht intelektualët, shoqëria civile, pjesë e votuesve të pavendosur.

Siç mëson TV21, në periudhën e ardhshme i gjithë procesi për realizimin e kësaj ideje do të intensifikohet, përkatësisht do të zhvillohen biseda me intelektualë, persona nga postet e larta, të cilët duhet t’i qëndrojnë pranë në formimin dhe promovimin e partisë së re politike. Kjo ka shumë të ngjarë të nxitet nga rezultatet e anketës së fundit të publikuar nga IRI, ku thuhet se 19 për qind e të anketuarve mendojnë se Arsovska duhet të rizgjidhet kryetare e kryeqytetit. 29 për qind e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa 53 për qind negative. 18 për qind deklaruan se nuk dinin ose nuk donin të përgjigjeshin.

Arsovska u bë kryetare e Qytetit si kandidate e pavarur e mbështetur nga partia VMRO-DPMNE, por edhe nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa. Por së fundmi partitë që e mbështetën në zgjedhje po distancohen prej saj. Se a do t’ua “vjedhë” Arsovska votat VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së në zgjedhjet e ardhshme, me formimin e mundshëm të partisë së re, mbetet të shihet.

Ndryshe, në periudhën e fundit formimin e partive të reja e kanë paralajmëruar Maksim Dimitrievski nga LSDM dhe Izet Mexhiti nga fraksioni i BDI-së.