Edhe pse prej nëntë vitesh jeton në Gjermani, Miqereme Ismaili-Selmani po dëshmon se distanca nuk është pengesë për të ruajtur dhe zhvilluar gjuhën amtare.

E lindur në Debresh të Gostivarit, ajo ka ndërtuar një rrugëtim të qëndrueshëm në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, duke e kthyer profesionin e saj në një mision kombëtar. Studimet i përfundoi në Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë, ku më pas edhe magjistroi në drejtimin Gjuhësi, me fokus të veçantë në të folmen e Gostivarit.

Gjatë viteve të para të karrierës, ajo punoi si profesoreshë në shkollat e mesme në Gostivar, ndërsa paralelisht u angazhua në projekte kulturore, botime dhe aktivitete shkencore. Kontributi i saj përfshin poezi të botuara, studime sociolinguistike dhe pjesëmarrje në konferenca shkencore në Shkup.

Sot, nga mërgimi, Ismaili-Selmani vijon të kontribuojë në lektorimin e librave dhe punimeve shkencore, duke mbetur një zë aktiv në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe.

Pas suksesit me librin e parë me karakter sociolinguistik, ajo pritet të vijë së shpejti me librin e saj të dytë – përmbledhjen poetike “Copëza jete”, e cila pritet të publikohet gjatë verës dhe të sjellë një dimension më personal të autores.

Në një prononcim për redaksinë, ajo thekson se gjuha shqipe duhet të ruhet kudo që jetojnë shqiptarët, duke dhënë mesazhin se identiteti nuk humbet me largësinë.

Rasti i saj është dëshmi se edhe nga diaspora mund të jepet një kontribut i çmuar për kulturën kombëtare — një histori që po frymëzon gjithnjë e më shumë shqiptarë jashtë vendit.

sqShqip