Kosovë

Cilat ishin meritat kryesore të dr. Ibrahim Rugovës?

Shkruan: Fadil Maloku

1. Pamundësia e realizimit të tërësishëm të identitetit të një kombi, që e prejudikon domosdoshmërinë e zëvendësimit me aplikativitet masiv të sistemit të kultit të personalitetit me atë të institucionit, pa dashje sjell pasoja e reperkusione të panevojshme, që bëhen pengesë serioze për rrumbullakësimin e procesit. Për popujt që nuk kanë kaluar përmes purgatorit të luftës civile (lexo: procesit të zëvendësimit të kultit me institucionin), thuhet se shpeshherë, a të shumtën e rasteve, hendikepohen me dukurinë e shpërpjesëtimit të synimeve kolektive dhe mundësive për t’i realizuar ato. Sëkëndejmi, “ndodhia” e tillë e mbijetimit të përnjëhershëm bigamik(!) këta popuj i shpie në hendikapin tjetër: atë të pamundësisë së përcaktimit për njërin a tjetrin interesim. Po kështu, “ndodhia” e tillë sjell shpesh edhe sindromën e kompleksit të mobilizimit pozitiv, ku stereotipi sociologjik i kultit (të personalitetit) fiton konotacionet e një fetishi, rreth të cilit, në mënyrën fat-pajtuese, ndërlidhet fati i tërë një populli a kombi. Në historinë tonë, sidomos prej fillimit të viteve ’90 e këndej, hetojmë se roli i fetishit a kultit, në vetëdijen tonë kolektive, ka të bëjë me emrin e Ibrahim Rugovës, kryetarit aktual të Republikës së Kosovës. Arsyet për këtë janë të natyrës historike, politike e ushtarake, si dhe frustrimi i akumuluar gjatë një periudhe të gjatë, që u provua të neutralizohet ndërmjet viteve 1968 e 1974. Sociologjikisht, ky fenomen mund të akceptohet si me rëndësi të jashtëzakonshme historike, sepse është pikërisht fillimi i procesit të zhvendosjes së dukurisë së kultit të personalitetit(si kompleks personifikues i joemancipimit dhe jozhvillimit të popujve, e lëre më kombeve!) në drejtim të shkrirjes së tij në një standard identifikues, që perëndimorët i besojnë dhe e respektojnë jashtëzakonisht shumë, por e quajnë institucion!Cilat janë meritat e Lēvizjes paqësore dhe liderit tē saj karizmatik dr. Ibrahim Rugova? Ciniku do të thoshte se i tërë ky rrjet i rindërtimit të kodit të institucionit (shtetëror) të tipit dhe të standardit perëndimor, tashmë të sprovuar në rastin e shqiptarëve të Kosovës, i gjason një hullie të ngritur në ajër, që funksionon shumë vështirë. Funksionimi i vështirë kushtëzohet edhe me pamundësinë e realizimit të synimit kolektiv, mirëpo meritat e vënies në binarë të institucionit gjithsesi do t’i atribuohen në radhë të parë dr. Ibrahim Rugovës, pavarësisht prej opinioneve të individëve a grupacioneve të caktuara politike.

2. Siç ngjan në përvojat e kombeve, procesi i zëvendësimit a i ndërrimit të roleve të këtyre dy koncepteve përcillet me afera, skandale dhe insinuata të llojllojshme, me qëllim që të pushtohet truri i kultit. Sot, kur dr. Rugova konsiderohet si personifikim i kultit të personalitetit, ndërsa procesi i realizimit të vullnetit të shqiptarëve në Kosovë nuk ka përfunduar, ai edhe më tutje e mban këtë epitet, pa marrë parasysh faktin se disa grupacione politike e kontestojnë, për arsyet e tyre. Kontestimi i këtij epiteti do të mund të ndodhte, ekskluzivisht, vetëm pas dështimit të projektit të shqiptarëve të Kosovës. Mirëpo, kjo pothuajse nuk ka gjasa të ndodhë, për shkak të qëndrimit të faktorëve të jashtëm. Situatat e tilla bëhen shans që u jepet kombeve njëherë, mbase në njëqind vjet. Akti i kontestimit të kultit (të personalitetit) nga ana e oponentëve të tij është një lojë shumë e vjetër, ndërsa kulti dhe stafi i tij vetvetiu mobilizohen për forcimin e tij, duke u angazhuar për realizimin e synimeve. Ndërkaq, në momentin e realizimit të synimit, vetvetiu e në mënyrë të pavetëdijshme, ushtrohet edhe zhbërja e kultit të personalitetit, edhe pse duke u bazuar në përvojën e të tjerëve, fetishizimi i personit e uzurpon institucionin. Ngelja në udhëkryq, ose më mirë të thuhet mosrealizimi i “premtimit” madhor për identitetin e shtetit, jo vetëm që e hedh kultin në kujtesën e zhbërjes, por njëkohësisht e ekspozon edhe në rrezikun e tradhtisë! Nuk është për t’u çuditur pse kemi shumë raste të tilla në historitë e kombeve të ndryshme, duke mos përjashtuar as rastet në historinë tonë.Tipi i kultit karizmatik mbetet i pavdekshëm edhe pas kryerjes së misionit të tij të shenjtë. Në rastin tonë, është shumë vështirë të gjendet një kult i tillë.

3. Duke filluar që nga Skënderbeu, vërehen prirje për rrënimin e tij, ende pa e kryer ai misionin e vet. Prandaj, shumë lehtë, ai mund t’i nënshtrohet shtratit të Prokrustit, të tradhtisë! Atëherë, çfarë duhet bërë? Për bindjen time, përgjigjen duhet kërkuar në dy momente: në rastin e dhënë kultit për sendërtimin e synimit kolektiv deri në finalizimin e tij, gjë që ndodh shumë rrallë dhe në pamundësinë e rrënimit të asaj që është ndërtuar (në rastin tonë: Presidentit, Parlamentit, Qeverisë, në radhë të parë).Respektimi i institucionit, vetvetiu, rrënon kultin e cilitdo personalitet, kështu që vendin e kultit (e personalitetit) e zë institucioni. Animi i njëmendësisë qëndron mu në respektin e institucioneve dhe jo të kulteve, sepse këto të fundit janë jetëshkurtra. Fuqinë (morale a politike) e posedojnë vetëm në etapën e parë të inaugurimit të interesit të përbashkët, siç po ngjan aktualisht me skenën politike shqiptare në Kosovë, ndërsa në të gjitha fazat e tjera ai merr konotacione të një fenomeni normal, që është në rënie e sipër. Bezdisja e tepruar me këtë fenomen, sidomos nga ana e diskursit plural në Kosovën e okupuar, është një preokupim i (pa)kuptueshëm deri në atë masë sa nuk merr përsipër obligimin e zhbërjes së njërit (kultit), në mënyrë që të krijohet tjetri (institucioni), natyrisht, në qoftë se nuk e ka qëllim promovimin e vetvetes, si person a si subjekt politik, gjë që do të ishte rikthim mbrapa dhe ripërtëritje e historisë.Në rastin tonë, fitohet përshtypja se tendencat e këtilla nuk janë në koordinata të shëndosha. Kështu vazhdon të jetë shumë më produktiv ruajtja e kultit, sidomos nëse ai është personifikim i institucionit dhe i realizimit të interesit kolektiv.

Cilat janë meritat e Lēvizjes paqësore dhe liderit tē saj karizmatik dr. Ibrahim Rugova? Ciniku do të thoshte se i tërë ky rrjet i rindërtimit të kodit të institucionit (shtetëror) të tipit dhe të standardit perëndimor, tashmë të sprovuar në rastin e shqiptarëve të Kosovës, i gjason një hullie të ngritur në ajër, që funksionon shumë vështirë. Funksionimi i vështirë kushtëzohet edhe me pamundësinë e realizimit të synimit kolektiv, mirëpo meritat e vënies në binarë të institucionit gjithsesi do t’i atribuohen në radhë të parë dr. Ibrahim Rugovës, pavarësisht prej opinioneve të individëve a grupacioneve të caktuara politike.