Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja mund ta mbështesë një tjetër sulm të madh kundër Iranit, nëse ai e rifillon rindërtimin e programeve bërthamore, si dhe e paralajmëroi Hamasin për pasoja të rënda nëse nuk çarmatoset.
Hamasi është grup palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe fuqi të tjera.
Duke folur më 29 dhjetor krah kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, pas një takimi në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, Trump la të kuptohej se Teherani mund të jetë duke punuar për t’i rikthyer programet e tij të armatimit bërthamor, pas bombardimeve të qershorit.
“Kam lexuar se ata po zhvillojnë armë dhe gjëra të tjera, dhe nëse po e bëjnë këtë, nuk janë duke i përdorur vendet që ne i shkatërruam plotësisht, por ndoshta vende të tjera”, u tha Trump gazetarëve gjatë një konference për shtyp.
“Ne e dimë saktësisht se ku po shkojnë, çfarë po bëjnë, dhe shpresoj që të mos e bëjnë këtë, sepse ne nuk duam të harxhojmë karburant për B-2-shat”, shtoi ai, duke iu referuar bombarduesit të përdorur në sulmet e mëparshme.
“Është një udhëtim 37-orësh vajtje-ardhje. Nuk dua të harxhoj shumë karburant”, tha ai.
Trump, i cili muajt e fundit ka përmendur mundësinë e një marrëveshjeje bërthamore me Teheranin, tha se bisedimet e tij me Netanyahun u përqendruan në përparimin e marrëveshjes së brishtë të paqes në Gazë, të cilët ai ndërmjetësoi, si dhe në adresimin e shqetësimeve izraelite lidhur me Iranin dhe Hezbollahun në Liban.
Irani, i cili zhvilloi një luftë 12-ditore me Izraelin në qershor, tha javën e kaluar se kishte kryer ushtrime raketore për herë të dytë këtë muaj.
Netanyahu tha javën e kaluar se Izraeli nuk po kërkonte përballje me Iranin, por se ishte në dijeni të raportimeve, dhe se do të diskutonte me Trumpin për aktivitetet e Teheranit.
Fazë e dytë në Gazë?
Trump tha se dëshiron të kalojë në fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, të arritur në tetor pas dy vjetëve luftime në Gazë.
Faza e dytë përfshin vendosjen e forcave ndërkombëtare paqeruajtëse në enklavën palestineze.
Izraeli dhe Hamasi e akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të mëdha të marrëveshjes dhe nuk duken më afër pranimit të hapave shumë më të vështirë të parashikuar për fazën e ardhshme.
Hamasi, i cili nuk pranon të çarmatoset, e ka riforcuar kontrollin e tij pasi trupat izraelite tani qëndrojnë vetëm në gjysmën e territorit të Gazës.
Izraeli ka lënë të kuptohet se, nëse Hamasi nuk çarmatoset në mënyrë paqësore, do t’i rifillojë veprimet ushtarake për ta detyruar ta bëjë këtë.
Trump e fajësoi grupit militant për mosçarmatosjen më të shpejtë, duke argumentuar se Izraeli kishte përmbushur pjesën e tij të marrëveshjes dhe duke paralajmëruar se Hamasi po nxit pasoja të rënda.
“Do të ketë pasoja të tmerrshme”, paralajmëroi Trump kur u pyet se çfarë do të bëjë nëse Hamasi nuk i dorëzon armët.
Ai ka bërë deklarata të ngjashme edhe në raste të mëparshme gjatë luftimeve.
Plani i Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Gazë parashikon tërheqjen e Izraelit nga territori palestinez, çarmatosjen e Hamasit dhe përjashtimin e tij nga roli qeverisës në enklavë.
Faza e parë e armëpushimit përfshinte një tërheqje të pjesshme izraelite, rritje të ndihmave dhe shkëmbimin e pengjeve me të ndaluar dhe të burgosur palestinezë. /rel

