Shefi i diplomacisë Bujar Osmani sot në brifingun me gazetarët vlerësoi se ndodhemi në periudhë më sensitive në bisedat me Bullgarinë dhe se dialogu do të vazhdojë në nivel ekspertësh dhe grupe pune. Ai thotë se qëllimi i kësaj çështje të mbyllet një herë e përgjithmonë dhe të mos hapet më, përmes një dokumenti gjithpërfshirës, i cili do të ishte protokoll ose deklaratë, ku do të vendosen të gjitha dokumentet për të gjitha palët.
“Propozimi portugez mbetet ende një zgjidhje e rëndësishme rreth së cilës bisedohet. Ne duam ta mbyllim këtë çështje një herë e përgjithmonë dhe të mos hapet më. As nuk duam këtë çështje ta zgjidhim në copëza, por të kemi një dokument gjithpërfshirës që do të ishte protokoll apo deklaratë, ku do të vendosen të gjitha dokumentet e rëndësishme për të gjitha palët dhe me të cilat do të rrumbullakoset kjo çështje. Kjo na garanton neve se nuk do të ketë çështje të reja ose do të ketë plotësim asimetrik nga njëra anë apo nga tjetra”, është decid Osmani.
Ministri sqaroi se konform Marrëveshjes nga viti 2017 ekziston instrumenti Komisioni ndërqeveritar, i cili çdo vit nënshkruan protokoll për implementimin e marrëveshjes.
“Ky është dokument që ka tre pjesë, tashmë është miratuar një protokoll i tillë dhe është nënshkruar nga komisionet, njëra pjesë është bashkëpunim sektorial, pjesa tjetër janë pjesët politike, gjegjësisht planet për vitin e ardhshëm dhe e treta është puna e komisionit historik. Kjo është konform marrëveshjes, tashmë një protokoll është nënshkruar, ne nuk arritëm të organizojmë komision ndërqeveritar për shkak se eskaloi kontesti dhe nuk kemi patur mundësi. Megjithatë, ai dokument është në frymën e atyre protokolleve që miratohen mes dy qeverive konform marrëveshjes, e të cilit vërtetojnë mënyrë të implementimit të marrëveshjes”, tha Osmani.
Ai përkujtoi se u mbajt raund i ri i bisedave politike të nivelit më të lartë, në të cilat janë prezantuar sërish qëndrimet dhe pozicionet e dy palëve, ndërsa ndërkohë kanë pasur edhe komunikim dhe koordinim me partnerët evropianë.
Në përgjigje të pyetjes se a do të bëhen pjesë e temave bilaterale për të cilat tani negociohet mes Shkupit dhe Sofjes, do të bëheshin pjesë e kornizës negociuese, Osmani tha se BE-ja negocion fillimisht kornizën negociuese sepse vendet anëtare duhet ta pranojnë kornizën e bisedimeve.
“Të gjitha 27-të vendet duhet të thonë po. Ka anëtarë që janë shumë të ndjeshëm ndaj çështjes së bilateralizimit të procesit evropian, për të përfshirë çdo gjë në kuadrin e negociatave. Fillimisht duhet ta harmonizojnë dhe të thonë “po”, e më pas ne ta pranojmë. As pa to, as pa ne nuk mund të miratohet korniza e negociatave. Për këtë arsye tani jemi duke u harmonizuar në mënyrë bilaterale, çfarë do të ishte e pranueshme për ne në kornizën e negociatave dhe çfarë do të ishte e pranueshme për vendet anëtare”, theksoi Osmani.
Ai tha se parimi ynë në këto negociata është që për asgjë nuk është rënë dakord, derisa nuk është dakorduar gjithçka. Që do të thotë se në këtë fazë po shprehim qëllimet lidhur me atë se çfarë mund të jetë e pranueshme, çfarë mund të mos jetë e pranueshme.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe homologu i tij bullgar Kirill Petkov u takuan të premten në Munih, në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Munihut, duke shprehur kënaqësinë për përparimin e bërë deri tani në bashkëpunimin dypalësh dhe duke njoftuar intensifikimin e tij.
Kovaçevski dje në një debat në kuadër të Konferencës së Munihut tha se jemi të përkushtuar për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme reciprokisht dhe në këtë frymë Maqedonia e Veriut ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për zhbllokimin e procesit të zgjerimit të BE-së.
“Në frymën e fqinjësisë së mirë evropiane, unë dhe kryeministri bullgar Petkov në dy muajt e fundit, duke qenë se jemi të dy kryeministra, i kemi intensifikuar bisedimet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me vullnet të sinqertë për të ndërmarrë hapa të afrimit, bashkëpunimit dhe besimit, për të cilat besojmë se do të na çojnë në një zgjidhje për çështjet tona dypalëshe”, tha Kovaçevski, duke shtuar se nëse BE-ja tregon mungesë ose dobësi në Ballkanin Perëndimor, atëherë palët e treta do të kishin më shumë mundësi për të mbushur atë boshllëk, që është jashtëzakonisht i rëndësishëm në planin gjeostrategjik.