Çdo ditë nga RMV po largohen nga 19 persona
Rekordi i aplikimeve për azil në vendet e Bashkimit Evropian e kanë renditur Maqedoninë e Veriut si një nga vendet e para ku shtetasit e saj largohen me ritmet më të larta në botë.
Sipas Eurostat, gjatë vitit të kaluar (në 2023) në zyrat e emigracionit të vendeve të BE janë evidentuar 6760 kërkesa për azil, ose 327 aplikime për 100 mijë banorë. Është kjo llogaritje që e klasifikon vendin shumë lart në listën e azilkërkuesve nga bota, bazuar tek mesatarja e aplikimeve që është në BE, 17 aplikime për 100 mijë banorë. E llogaritur ndryshe i bie që vitin e kaluar mesatarisht cdo ditë e kanë braktisur vendin rreth 19 persona. Shifrat alarmante, ilustrojnë situatën demografike, ku rritja natyrale e popullsisë ecën me ritme negative, lindjet reduktohen çdo vit, së bashku me zbrazjen e shkollave dhe uljen e numrit të kurorëzimeve. Regjistrimi i popullsisë në vitin 2021, treguan se popullsia në përgjithësi (1.8 milion) është tkurrur me rreth 180 mijë banorë, krahasuar me vitin 2001 (rreth 2 milionë banorë).
Hulumtimet dhe analizat konfirmojnë se performanca e dobët ekonomike dhe politike është arsyeja kryesore e flukseve negative migratore, mungesa e besimit tek institucionet, niveli i lartë i korrupsionit, arsimi jocilësor, të ardhurat e ulëta… Ritmet e emigrimit në rritje, parashikohen që të jenë më të larta pas anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian. Pretendimet se popullsia e aftë për punë, veçanërisht të rinjtë, do të qëndrojnë në Maqedoni pas anëtarësimit në BE janë të pabaza, madje nëse merren parasysh disa studime, pas hyrjes në tregun e përbashkët evropian do të rritet numri i qytetarëve të Maqedonisë që do të largohen nga vendi.
Maqedonia sipas të dhënave më të fundit të Eurostat qëndron shumë më keq se vendet e tjera të rajonit, duke përjashtuar Shqipërinë, që është e treta, me shifra të ngjashme me Maqedoninë (331 kërkesa për azil). Arsyet ekonomike janë ato që i detyrojnë shqiptarët të largohen. Sa i takon vendeve të tjera të rajonit, janë të pozicionuara më poshtë. Kosova, në vendin e 12 me vetëm gjysmën e aplikimeve krahasuar me Maqedoninë (162 aplikime në 100 mijë banorë). Ky vit ndoshta mund të sjellë një renditje ndryshe, për shkak të heqjes së vizave me vendet e BE. Serbia renditen në vendin e 21, me 68 aplikime për 100 mijë banorë, Mali i Zi në vendin e 25 me 58.1 aplikime dhe Bosnja në vendin e 48 me rreth 49 aplikime.
“Ngjashëm me muajt e mëparshëm, në muajt e fundit të 2023, Gjermania, Italia Spanja, Franca dhe Greqia, kanë regjistruar numrat më të mëdhenj të aplikantëve për herë të parë për azil, që përbën 82 për qind të të gjithë aplikantëve për herë të parë në BE. Bazuar në të dhënat e disponueshme, totali i azilkërkuesve në BE për herë të parë ishte 24.3 për njëqind mijë njerëz”, thuhet në raportin e Eurostat.
Vendi i parë në botë është sa u takon numrit të azilkërkuesve në 100 mijë banorë është Siria, me mbi 874 aplikime për 100 mijë banorë. Shifrat e larta justifikohen me largimet nga e banorëve nga lufta. I dyti është Gjeorgjia, me mbi 660 aplikime. /Koha/