Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, drejtpërdrejt e theksoi gjendjen katastrofale në menaxhimin e komunës gjatë dy dekadave të fundit.
“Njëzet vite keni një njeri që ka udhëheq me komunën. Njëzet vite. Dhe pas njëzet viteve, kërkon edhe katër. A ka ndonjë që beson se ndoshta në ato katër vite do të bëjë më mirë se sa në njëzet vitet e kaluara?”, pyeti Osmani.
Ai i ftoi qytetarët të përballen me realitetin.
“Çairi është komuna më e parregullt në Shkup. Ka kaosin më të madh urban. Këtë nuk e them unë, por parametrat e publikuara, të dhënat zyrtare”, tha Osmani.
Osmani veçanërisht u ndal te mungesa skandaloze e transparencës në punën e komunës.
“Çairi është komuna më jotransparente. Nuk ka asnjë informacion se si shpenzohen paratë publike. Përveç një informacioni: që paguhen 720 kontrata fiktive çdo muaj nga taksat tuaja. Komuna paguan 720 punësime fiktive çdo muaj”, tha Osmani.
Sipas shtabit të tij, me këtë Osmani e përcaktoi qartë ndryshimin që ofron: ndërprerjen me klientelën partiake, kthimin e transparencës dhe, më në fund, kthimin e komunës në duart e qytetarëve.