May 3, 2024
Maqedoni

Bujar Osmani ka marë dhuratë në Jordani një iPhone 14 me diamante

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij në Mbretërinë e Jordanisë, ka marrë dhuratë nga nikoqiri i tij një iPhone 14 i artë me diamante, ndërsa delegacionit që e shoqëronte iu dhuruan bizhuteri floriri, mësoi “A1on” nga burime të larta diplomatike.

Në kuadër të vizitës së parë zyrtare në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, e cila u zhvillua në fund të tetorit të vitit të kaluar, ministri Osmani pati një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme dhe Emigracionit, Ayman Safadi, si dhe me Ministrin e Bujqësisë, Khalid Al-Hanifat, duke nënshkruar disa marrëveshje dypalëshe me këtë vend.

Me këtë rast Osmani ka marë një telefon dhuratë nga seria e fundit e iPhone, I-phone 14 me diamante dhe flori, i cili shitet nga 2700 deri në 6000 euro, varësisht nga lloji i gurëve të çmuar. Diplomatët që udhëtonin me të morën bizhuteri ari.

“Disa persona anëtarë në delegacion morën bizhuteri ari, pra zinxhirë floriri, ndërsa ministrit i dhanë dhuratë një telefon me diamante. Këto janë dhurata shumë të shtrenjta. Ndoshta ministrat e qeverisë së Mbretërisë së Jordanisë kanë një traditë të tillë të dhënies së dhuratave të shtrenjta, por ne nuk kemi mundësi ligjore të marrim sende të tilla luksi si diplomatët”, tregon burimi diplomatik.
Nga MPJ tani tre ditë janë duke heshtur lidhur me rastin.