Shkup, 29 gusht – Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, njëherit nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani, kohë më parë në një intervistë për TV21-Maqedoni u pyet nëse pas largimit të Artan Grubit është bërë ai njeriu më i afërt i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, shkruan Zhurnal.

Gazetari i kujtoi Osmanit se gjithmonë Grubi ka qenë ai që i qëndronte në krah Ahmetit, duke u kujdesur për imazhin e tij publik dhe duke u shfaqur pranë tij në çdo video e aktivitet.

Në përgjigjen e tij, Osmani e mohoi një rol të tillë për veten, duke thënë se një “ekuidistancë” e Ali Ahmetit me bashkëpunëtorët është më e shëndetshme për partinë.

“Jo, jo, bile më pëlqen që tash ka një ekuidistancë e Zotit Ahmeti me njerëzit përreth. Mendoj që është më e shëndetshme. Kryetari Ahmeti komunikon me të gjithë njësoj, me sekretarin, me nënkryetarët, me të tjerët. Kjo e ka hapur partinë dhe kjo është duke më pëlqyer. Asnjëherë nuk do të doja të isha ‘më i afërti’, edhe po të më jepej shansi, sepse nuk është e mirë për partinë,” tha Osmani.

Me këtë deklaratë, Osmani la të kuptohet qartë se praktika e Artan Grubit për të monopolizuar afërsinë me Ahmetin i ka bërë dëm BDI-së, ndërsa sipas tij, partia tani po e paguan faturën e asaj periudhe.//Zhurnal.mk

 

 

sqShqip