Britania e Madhe ka bërë thirrje shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë, duke theksuar se njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë në rajon dhe për zhvillimin e plotë të vendit. Për Serbinë, Britania ka thënë se duhet ta dorëzojë Milan Radoiçiqin.

Përfaqësuesja e Britanisë foli gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u diskutua raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, për Kosovën.

“Britania mbetet përkrahëse e palëkundur e zhvillimit demokratik të Kosovës dhe shtegut të saj euroatlantik. Si ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje shteteve anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës. Njohja është esenciale për stabilitet afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”, deklaroi ajo.

Lexo më shumë Ushtarët e KFOR-it stërviten me helikopterët “Black Hawk”
Përfaqësuesja britanike inkurajoi progres të shpejtë drejt formimit të qeverisë në Kosovë dhe përgëzoi “mbajtjen e qetë dhe demokratike” të procesit zgjedhor lokal.

Ajo kërkoi nga të gjitha palët që tranzicioni institucional në komunat ku kanë fituar kandidatët e Listës Serbe të zhvillohet me “respektim të plotë të sundimit të ligjit dhe me mundësi reale për riintegrimin e komunitetit serb”.

Drena 300×250
Dy vjet pas sulmit në Banjskë, Britania ritheksoi thirrjen ndaj Serbisë që të bashkëpunojë për “tkurrjen e tensioneve” dhe të sigurojë “përgjegjësinë penale të autorëve të sulmit”, përfshirë dorëzimin e Milan Radoiçiqit.

Lexo më shumë Rron Gjinovci pas zgjedhjeve në Maqedoni: “Ali Ahmeti i humbi zgjedhjet, kush bëhet mik me Edi Ramën ngulët”
“Llogaridhënia për sulmin në Banjskë dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë”, ka thënë ajo, duke shtuar se çështjet e pazgjidhura duhet të adresohen përmes dialogut.

Britania gjithashtu mirëpriti “angazhimin konstruktiv të të gjitha palëve” në procesin e Berlinit dhe u bëri thirrje institucioneve ndërkombëtare të fokusohen në përdorimin më efikas të resurseve të OKB-së.

“Me presionin e shtuar mbi buxhetin e Kombeve të Bashkuara, resurset duhet të rialokohen aty ku kanë më shumë efekt, e jo të mbahen në misione të trashëguara pa mandat të qartë”, theksoi ajo, duke kërkuar “rishikim strategjik të UNMIK-ut dhe një qasje më efikase të stafit civil”.

sqShqip