Bojkoti si shantazh ndaj institucioneve për Asociacionin në Kosovë
Çdo shantazh dhe çdo bojkotim i institucioneve të Kosovës nga përfaqësuesit e Listës Serbe, duhet parë si një instruksion që vjen nga Beogradi zyrtar, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri dhe Ognjen Gogiq.
Sipas tyre, Lista Serbe, e cila përfaqëson komunitetin serb të Kosovës në institucionet e nivelit qendror, në Kuvend dhe Qeveri, si dhe ka pushtetin në dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe, është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi zyrtar, nga i cili edhe merr instruksionet për veprimet që bën.
Lista Serbe ka bojkotuar tri mbledhjet e fundit të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, duke pamundësuar kuorumin e nevojshëm për të marrë vendimin për caktimin e seancës së radhës. Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të martën, më 16 nëntor, kur Lista Serbe për herë të fundit bojkotoi punimet e kryesisë.
“Ma merr mendja që Lista Serbe është duke e bojkotuar qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhduar kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne. Ne nuk pranojmë kurrfarë shantazhi në kryesinë e Kuvendit të Kosovës”, tha Konjufca në një konferencë për media.
Më 17 tetor, kur Lista Serbe nga Mitrovica e Veriut shpalli fitoren në zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe, kryetari i këtij subjekti politik, Goran Rakiq deklaroi se lufta e kësaj partie është e përqendruar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Në qoftë se nuk do të ketë Asociacion, nuk do të ketë as institucione të Kosovës”, ka thënë Rakiq, duke shtuar se kjo do të ndodhë në rast se bisedimet për Asociacionin nuk do të nisin deri në muajin nëntor.
Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të kontaktojë Sllavko Simiqin, por edhe zyrtarët tjerë të Listës Serbe për t’i pyetur nëse kërcënimi i tyre i muajit tetor për t’i braktisur institucionet e Kosovës, është duke u realizuar. Por, ata nuk kanë qenë të qasshëm.