May 19, 2024
Maqedoni

Bllokimi i negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Varhelyi jep afatin e ri: Do punojmë që…

Pasi ministrat e jashtëm të vendeve të BE nuk vendosën një datë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka ardhur edhe reagimi i Komisionerit për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Oliver Varhelyi.

Me një postim në Twitter, Varhelyi thotë se të dy vendet, si Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut, kanë bërë përparim të dukshëm. Ai thekson se do të punohet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, për të dy vendet, brenda vitit 2021.

“Kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është bërë shumë gjatë muajve të kaluar, ku është arritur një përparim i dukshëm. Ne do të vazhdojmë të punojmë që në vitin 2021 të mbajmë Konferencën e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si një çështje me përparësi”, shkruan Varhelyi.

Por kur do jetë tentative e radhës?

Shpresa për caktimin e një date mbetet në samitin e radhës që pritet të mbahet gjatë vjeshtës.

Përfaqësuesja e presidencës Portugeze Ana Paula Zacarias, ndërsa tha se ishte e pamundur për të dhënë rekomandimin e çeljes së konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shtoi se duhet pritur presidenca Sllovene e BE-s që nis në fillim të Korrikut.

Në shtator presidenca sllovene, do të paraqesë edhe kornizën e re negociuse të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-n. Kjo mund të jetë koha, që Shqipëria dhe Maqedonia mund të marrin një OK, por derisa BE të jetë e unifikuar në qëndrimet e saj, suprizat mund të jenë të pritshme, pasi ky skenar përsëritet prej vitesh.

Gjithsesi, fillimisht duhet pritur për një “paqe” mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Tashmë çelja e negociatave nuk është çështje kushtesh, por “inatesh” nga vende të caktuara nga BE./