Në periudhën nga 1 deri më 9 dhjetor të këtij viti, si rezultat i kontrolleve të rregullta të trafikut që i realizon policia, nga gjithsej 6.151 urdhërpagesa të shqiptuara, 1.573 shkelje kanë të bëjnë me drejtues automjetesh që nuk e kanë respektuar shpejtësinë e lejuar të lëvizjes, njoftuan nga MPB. “Janë privuar nga liria 44 persona për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, në pajtim me nenin 297-a të Kodit Penal, prej të cilëve 33 për ngasje nën ndikimin e alkoolit, dy drejtues për ngasje në drejtim të ndaluar, 5 persona për tejkalim të shpejtësisë së lejuar brenda vendbanimit dhe 4 persona për tejkalim të shpejtësisë jashtë vendbanimit”.
Në raportin statistikor të aktiviteteve policore thuhet gjithashtu se janë evidentuar: 1.511 shkelje për parkim të parregullt, 620 masa ndaj drejtuesve që kanë drejtuar automjet pa patentë shoferi, 39 sanksione për kalim në dritë të kuqe, 32 masa ndaj këmbësorëve për shkelje trafiku, si dhe 173 sanksione për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit.
Janë sanksionuar edhe 349 pjesëmarrës në trafik që nuk kanë përdorur rripin e sigurisë, si dhe 214 masa ndaj drejtuesve për përdorim të telefonit gjatë ngasjes. Sipas Ligjit për automjetet, 119 automjete janë larguar nga qarkullimi sepse kanë qenë të paregjistruara, ndërsa 62 të tjera për shkak të parregullsive teknike. Janë shqiptuar edhe masa ndaj 28 drejtuesve të mjeteve motorike për xhama të errëta ose për vendosje të parregullt të folieve. “Kontrollet e trafikut do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme. Apelojmë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat, dhe së bashku të kontribuojmë për rrugë më të sigurta”, njoftojnë nga MPB. (koha.mk)

