Çmimet e naftës vazhduan të bien sot, duke arritur nivelin më të ulët të një jave, pasi investitorët reaguan pozitivisht ndaj sinjaleve se konflikti në Lindjen e Mesme mund të qetësohet. Në të njëjtën kohë, rezervat globale të naftës së papërpunuar janë përmirësuar, raportoi Trading Economics.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent nga Deti i Veriut ra në rreth 88 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e lehtë amerikane WTI zbriti në rreth 82 dollarë për fuçi. Optimizmi në treg u nxit nga deklarata e presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se Uashingtoni po zhvillon “bisedime të mira” me Iranin dhe se ekziston mundësia për arritjen e një marrëveshjeje.

Megjithatë, ai paralajmëroi se sulmet ushtarake amerikane mund të vazhdojnë nëse negociatat nuk japin rezultat. Shtetet e Bashkuara të Amerikës të premten ndaluan sulmet ushtarake ndaj Iranit, pas gati dy javësh konflikti, ndërsa Teherani njoftoi se kishte pezulluar kundërpërgjigjen ushtarake dhe kishte nisur bisedime me Omanin për sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme botërore për transportin e naftës.

Rënie shtesë e çmimeve erdhi edhe nga ana e ofertës, pasi u rifillua ngarkimi i naftës së papërpunuar në terminalin e Konsorciumit të Tubacionit Kaspik (CPC) në bregdetin rus të Detit të Zi. Ky është një korridor kyç eksporti për naftën kazake, funksionimi i të cilit ishte ndërprerë ditët e fundit për shkak të sulmeve me dronë ukrainas.

" "

Ndërkohë, rebelët Huthi në Jemen njoftuan se kishin sulmuar objekte të lidhura me kompaninë saudite të naftës Aramco në qytetet Jizan dhe Yanbu, por as autoritetet saudite dhe as kompania Aramco nuk i kanë konfirmuar këto pretendime.^

sqShqip