Maqedoni

Bie interesimi për vaksinim në Tetovë

Në pikën e vaksinimit në Tetovë – në Qendrën për Kulturë në Tetovë ka një interesim të shtuar të qytetarëve që marrin dozën e tretë të vaksinës kundër Kovidit, kryesisht të moshës mbi 60 vjeçare, pas vendimit që qytetarët që kanë marrë doza të “Sinovak” dhe “Sinofarm”, pas tre muajve të marrin dozën e tretë të prodhuesit “Pfizer”.

Mjekët theksojnë se në Tetovë ka interesim në nivel të mirë për dozën e tretë. “Zyrtarisht, nga dita e enjte kemi filluar me vaksinimin e dozës së tretë për të gjithë ata pacientë, të cilët kanë kaluar tre muaj nga pranimi i dozës së dytë Sinovac dhe Sinofarm dhe për këtë kemi interesim nga grupmosha mbi 60-vjeçare, pleqtë, pensionistët, të sëmurët kronik, mirëpo krahas këtyre, të gjitha ata që e kanë kaluar afatin prej tre muajve, padyshim se mund të vijnë të vaksinohen me dozën e tretë.

Marrja e dozës së tretë siç dihet është vetëm me vaksinën Fajzer”, deklaroi mjeku Besnik Mustafai. Gjatë muajve të kaluar, në Tetovë, në pikat e vaksinimit kishte fluks më të madh të qytetarëve që prisnin radhë për të marrë vaksinën. Madje, brenda ditës kishte nga 1500 deri në 2000 persona që vaksinoheshin. Por, tani ky fluks dukshëm ka rënë.

Dozën e parë brenda ditës e marrin nga 50 deri në 100 persona, dhe ky trend i uljes së interesimit ka të bëjë me atë se është vaksinuar pothuajse gjysma e popullatës apo mbi 46 për qind e qytetarëve të rritur. “Padyshim se vërehet një ulje drastike e interesimit për marrjen e dozës së parë. Mund të ceket si faktorë edhe ajo se ne deri më tash me dozën e parë dhe të dytë kemi vaksinuar rreth 45 për qind të popullatës në Komunën e Tetovës. Ky është një faktor, por kohëve të fundit vërehet edhe një stepje e lehtë e interesimit për dallim nga koha e kaluar kur brenda ditës dozën e parë e merrnin 1500 deri në 2000 qytetarë. Tani kemi ulje drastike, kemi brenda ditës 50 deri 100 persona që marrin dozën e parë. Raste të rralla kemi kur numri shkon deri në 150 persona”, sqaron mjeku Mustafai.

Në këtë drejtim ka ndikuar edhe lehtësimi i masave. Kur shtrëngohen masat, rritet numri i atyre që marrin vaksinën. “Ka lidhshmëri edhe kjo, sepse kur u shtrënguan masat nga ana e autoriteteve përgjegjëse, atë kohë kishte një interesim të jashtëzakonshëm për vaksinim që kishte të bëjë me mos lejimin e qytetarëve të pavaksinuar në objekte siç ishin lokalet dhe restorantet dhe kjo kishte ndikim të madh. Por tash, me ndryshimin e masave – vërehet ulje e interesimit për të marrë dozën e parë të vaksinës”, thotë mjeku Mustafai.