May 20, 2024
Maqedoni

Bexheti konfirmon dallimet me Mexhitin: Unë, Musa Xhaferi, Nevzat Bejta jemi kundër partisë së re

Kryetari i komunës së Sarajit njëherit edhe një nga anëtarët e të ashtuquajturit “Grupi i Zjarrit” në BDI, Blerim Bexheti në një prononcim për Agjencinë e lajmeve Zhurnal lidhur me lajmet e publikuara se mes këtij grupi ka dallime, ai pohon një gjë të tillë duke thënë se insistojnë që këto çështje t’i argumentojnë dhe zgjidhin përmes debatit brenda Bashkimit Demokratik për Integrim.

“Kemi dallime të ndryshme dhe jemi fraksion në kuadër të BDI dhe ne jemi për të zgjidhur dallime brenda Bashkimit Demokratik për Integrim”, ka theksuar kështu ekskluzivisht Bexheti për Zhurnal,

I pyetur nëse do të formojnë ndonjë subjekt të ri politik, ai ka thënë se janë kundër këtij vendimi pasiqë fragmentarizohet elektorati shqiptar.

“Jo, sepse Blerim Bexheti, Musa Xhaferi dhe Nevzat Bejta janë kundër formimit të një subjekti të ri politik sepse nuk ka nevojë për formim të partisë së re politike pasiqë kështu fragmentarizohet elektorati shqiptar”, ka theksuar Bexheti për Zhurnal.

Duke folur më tej lidhur me bashkëpunimin me partitë tjera opozitare përfshirë këtu edhe VMRO DPMNE, Bexheti e mohon një gjë të tillë.

“Jo, bashkëpunim nuk kemi pasur sepse ne jemi fraksion. Shpresojmë që argumentet tona t’i zgjidhim përmes debatit brenda subjektit tonë BDI”.

Duke komentuar më tej situatën politike në vend dhe procesin e ndryshimeve kushtetuese Bexheti thotë se janë të të njejtit qëndrim si të gjithë brenda BDI-së dhe se ky proces duhet të përfundojë sa më shpejtë.