Maqedoni

Besimi: Janë ndarë 206 milionë denarë përmes MSIP për projekte kapitale

Përmes Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale – MSIP, i realizuar nga Ministria e Financave me përkrahje të Bankës Botërore, nëntë komunave u janë ndarë 206.6 milionë denarë ose 3.4 milionë euro, nga të cilat 43.8 denarë janë grante për projekte kapitale të tilla si ndërtimi dhe rikonstruimi i rrugëve lokale, rikonstruimi i rrjetit të ujësjellësit, ndërtimi i stacioni pastrues, rikonstruimi i tregut dhe furnizimi me makineri komunale. Sot, ministri i Financave Fatmir Besimi realizoi takim me kryetarë të komunave dhe përfaqësues të nëntë komunave nga Velesi, Sveti Nikolla, Çairi, Strumica, Negotina, Gazi Baba, Çeshinovë Oblesheva, Brvenica dhe Pehçeva.

Ministri i Financave Besimi theksoi se përmes Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale – MSIP, me fond të përgjithshëm prej pothuajse 102 milionë euro ku deri më tani janë përkrahur mbi 260 investime kapitale në të gjitha komunat në vend – siç janë ndërtimi i rrugëve lokale, infrastruktura komunale, kopshtet dhe infrastrukturë tjetër komunale.

– Kemi të bëjmë me rreth 6 km rrugë lokale, rikonstruim të tregut dhe furnizim me makineri komunale, por këto projekte kanë me të vërtetë rëndësi të madhe për popullatën lokale. Për shembull, furnizimi i një makine për gërmim për ndërmarrjen komunale në Brvenicë, gjatë kohës së dimrit do të jetë më e lehtë të mirëmbahen rrugët lokale nga bora, si dhe shtretërit e lumenjve. Qëllimi ynë është që përmes këtij projekti të ofrojmë shërbime më të mira publike në secilën komunë në vend dhe kështu të krijojmë kushte më të mira jetese për të gjithë qytetarët tanë – tha Besimi.

Në kuadër të këtyre projekteve, komuna e Velesit ka marrë hua prej 46 milionë denarë për rikonstruimin e tregut të qytetit, komuna e Sveti Nikollës ka marrë hua prej 43 milionë denarë për ndërtimin dhe rikonstruimin e disa rrugëve në Rudinë, komuna e Çairit hua prej 39.7 milionë denarë për rikonstruimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe atmosferik në rrugën “Dizhonska”, komuna e Negotinës 19.9 milionë denarë për rikonstruimin e rrugëve lokale në zonën e qytetit, Çeshinovë Oblesheva hua prej 8.4 milionë denarë për rikonstruimin e 7 rrugëve dhe Brvenica hua prej 5.7 milionë denarë për furnizimin e një makine të kombinuar për gërmim për ndërmarrjen komunale publike.
Si rezultat i realizimit të suksesshëm paraprak të nënprojekteve përmes Projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale, Strumica mori grante në vlerë prej 24 milionë denarë për ndërtimin e dy rrugëve servisore dhe kolektorëve në vendin Sofillar, Gazi Baba në vlerë prej 18.3 milionë denarë për ndërtimin e stacionit pastrues në zonën e Smilkovcës dhe Pehçeva mori grant në vlerë prej 1.6 milionë denarë për ndërtimin e rrugëve lokale në fshatin Crnik.

Kryetari i komunës së Velesit Aco Kocevski, theksoi se me rikonstruimin e tregut të qytetit, Velesi do të bëhet me treg modern dhe urban sipas të gjitha standardeve. Me realizimin e këtij nënprojekti pritet të sigurohet hapësirë ​​më e madhe dhe e organizuar më mirë sa i përket tregut të qytetit me kushte sanitare dhe higjienike, duke përfshirë rrugë të qasshme për shpërndarjen e produkteve në treg, hapësirë për parkim dhe të gjitha kushtet e tjera të nevojshme për funksionim normal të objektit.
Në komunën e Çairit, do të rikonstruohet rrjeti i ujësjellësit, kanalizimi fekal dhe atmosferik në gjashtë pjesë të rrugës “Dizhonska”.
Me nënshkrimin e marrëveshjes së sotme për shfrytëzimin e mjeteve nga Projekti për përmirësimin e shërbimeve komunale – MSIP2, përmes të cilit në mënyrë transparente dhe me përmbushjen e të gjitha kushteve, siguruam rreth 40 milionë denarë për realizimin e projektit për rikonstruimin e rrjetit të ujësjellësit, kanalizimin fekal dhe atmosferik në rrugën “Dizhonska”.
Më lejoni gjithashtu, të shpreh faleminderimin tim ndaj angazhimit të Ministrisë së Financave dhe ministrit Besimi për realizimin e këtij projekti, theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.