Besimi dhe Tejada nënshkruan harmonizimin e Marrëveshjes për shmangjien e tatimimit të dyfishtë me Zvicrën
Ministri i Financave Fatmir Besimi dhe ambasadorja e Zvicrës në vend Sibil Zutter Tejada nënshkruan Protokollin për harmonizimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës për shmangien e tatimimit të dyfishtë, në përputhje me konventën e re tatimore të Organizatës për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (OECD) dhe standardet e BEPS-it. Protokolli do të përforcojë dispozitat ekzistuese për shmangien e tatimimit të dyfishtë të tatimit mbi të ardhurat dhe tatimit mbi kapitalin ndërmjet dy vendeve, ku do të arrihet rritja e transparencës tatimore dhe trajtimi i drejtë tatimor.
– Përforcimi i dispozitave për shmangien e tatimimit të dyfishtë do të mundësojë përmirësimin e monitorimit të bazës tatimore dhe shpërndarjen e drejtë të fitimeve midis dy vendeve. Vendosja e rregullave të qarta për shmangien e tatimimit të dyfishtë si dhe parandalimi i përfitimeve kontraktuese në rrethana të papërshtatshme kanë rëndësi të jashtëzakonshme për bashkëpunimin ekonomik bilateral, si dhe për ndërtimin e sistemit të drejtë tatimor – tha ministri i Financave Fatmir Besimi.
– Zvicra e mirëpret rishikimin lidhur me Marrëveshjen tonë për tatimim të dyfishtë e cila është në përputhje me standardet më të fundit ndërkombëtare dhe do të përforcojë marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve. Zvicra angazhohet në zbatimin e standardeve më të fundit ndërkombëtare në rrjetin e saj të marrëveshjeve për tatimim të dyfishtë – tha ambasadorja e Zvicrës në Republikën e Maqedonisë së Veriut Sibil Zutter Tejada.
Protokolli parasheh harmonizimin e shkëmbimit të informacioneve midis organeve tatimore kompetente të të dyja vendeve sipas standardeve ndërkombëtare të parapara në konventën e OECD-së dhe standardet e BEPS-it, si dhe harmonizime që do të lehtësojnë zbatimin e proceseve të rregulluara me marrëveshjen në praktikë. Gjithashtu, protokolli synon zbatimin e standardeve të BEPS-it.
Gjatë muajit gusht të vitit 2018, Republika e Maqedonisë së Veriut u bë vendi i 117-të anëtar i Kornizës inkluzive të BEPS-it, ku në mënyrë të barabartë me vendet e tjera, marrim pjesë në ndërmarrjen e masave për parandalimin e shmangies së pagesës së tatimit, përkatësisht masave për ruajtjen e bazës së tyre tatimore. Pakoja BEPS përbëhet nga 15 masa, në kuadër të të cilave janë përcaktuar aktivitete që do u ndihmojnë vendeve në trajtimin e mundësive për shmangien e pagesës së tatimit. Republika e Maqedonisë së Veriut në mënyrë aktive merr pjesë në zbatimin e kësaj pakoje të masave.
Gjatë viteve, Republika e Maqedonisë së Veriut ka nënshkruar marrëveshje bilaterale për shmangien e tatimimit të dyfishtë me 49 vende dhe shumica e tyre janë sipas standardeve të vjetruara. Harmonizimi i marrëveshjeve me Konventën e re të OECD-së ofron mbrojtje shtesë kundër mostatimimit të dyfishtë.