Një postim emocional nga Besarta Hamëz Jashari

Në përvjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si çdo vit më pushtojnë emocione të forta – emocione që marrin kuptim kur e di se janë ndarë dhe përjetuar nga mbarë kombi shqiptar.
Sot e nisa ditën në odën e familjes, ashtu si dikur.
Por sot aty nuk e gjeta babushin tim, siç e gjeja çdoherë… atë që më mbushte me forcë shpirtërore, që më dëgjonte e më këshillonte, atë që më jepte vetëbesim.
Në vend të tij, aty gjeta mixhën Rifatin.
Tek ai e shoh dhe e ndiej një pjesë të babushit tim. Besoj se edhe ai tek unë e sheh dhe e ndien vëllaun e tij, Hamzën – ndoshta edhe diçka më shumë.
Ne e kemi të vështirë ta përmbushim mixhën Rifatin për mungesën e madhe që bart në zemër, për mallin e pashuar për familjen.
Më kujtohet janari i vitit 1996, kur mixha Rifat erdhi ilegalisht në Kosovë dhe qëndronte në shtëpinë e pabanuar të familjes.
Ne fëmijët, duke luajtur në oborr, kishim vërejtur se në “shtëpinë e dytë” ishte një njeri “i huaj”, i cili herë pas here dilte në dritare dhe na shikonte.
Derisa në një moment ai “i huaji” doli nga shtëpia dhe erdhi tek ne… dhe e pamë se ishte mixha Rifati.
Sot, pas tri dekadash, e kujtoj atë moment dhe i kuptoj më thellë emocionet e tij.
Atëherë ai po çmallej duke i parë fëmijët e vet nga larg, pa pasur mundësi t’i përqafonte.
Sot, pas gjithë këtyre viteve, ai po çmallet me nipat e mbesat e tij… duke përmbushur mungesën e gjatë të përqafimeve.
Gëzuar Epopeja e të lavdishmes UÇK.
Lavdi
E juaja,
Besarta H. Jashari

sqShqip